Koha e përgatitjes – 20 minuta; Koha e pjekjes – 40 minuta.
PËRBËRËSIT PËR TAVË ME DIAMETËR 26 CM:
• 200 g miell integral (kaf)
• 100 g miell thekre
• 4 kokrra vezë – të bardhat veç nga të verdhat
• 100 g rrush i thatë
• 3 kokrra mollë
• 130 g shurup panje ose mjaltë
• 130 ml vaj luledielli ose 150 ml gjalpë i tretur, i vakët
• 1 bustinë sodë për ëmbëlsira (16 g)
• 1/2 lugë e vogël kanellë ose sipas dëshirës
• 1 majë thike kripë • 1 bustinë vanilje • një grusht arra të qëruara
PËRGATITJA:
Ndezim furrën në temperaturën 180° C.
1. Në një tas me ujë të nxehtë (jo i valuar), vëmë rrushin të hidratohet për 10 minuta. Më pas, e kullojmë, e thajmë me letër thithëse për kuzhinë dhe e spërkatim me miell, që të mos bjerë në fund të brumit gjatë pjekjes së kekut, transmeton Living.al.
2. Në një tas, përziejmë miellrat, kanellën, kripën, vaniljen dhe sodën, të cilën e hedhim me sitë.
3. Mollët e qëruara, i presim në kubikë jo shumë të vegjël.
4. Të verdhat e vezëve i përziejmë me pirun me shurupin e panjës dhe vajin. Shtojmë mollët dhe rrushin e thatë dhe i përziejmë me lugë druri. Shtojmë masat e miellrave dhe i përziejmë edhe këto me lugë druri.
5. Me rrahësen elektrike, rrahim të bardhat e vezëve, i bëjmë marengë dhe i shtojmë pjesëpjesë në tasin ku kemi brumin me mollët.
6. Hedhim brumin në tavën ku kemi shtruar letër furre, shpërndajmë sipër arrat dhe e pjekim për 35/40 minuta ose derisa kur të bëjmë provën me kruajtëse dhëmbësh, ajo të dalë e pastër. E lëmë të ftohet në tavë dhe më pas e heqim.