Receta e fundjavës, si të gatuani biskota të shijshme me pana

Biskotat janë pa asnjë dyshim ndër ëmbëlsirat më të lehta në përgatitje dhe në shije.

Recetat dhe kombinimet e tyre janë të shumta dhe mjaftojnë vetëm pak minuta për të përgatitur këto ëmbëlsira fantastike.

Me to mund të shoqërosh më së miri kafenë, çajin, kakaon apo një gotë të ngrohtë me qumësht, mundësitë janë të shumta.

Kështu që përgatitja e tyre në shtëpi është thuajse e domosdoshme për të gjithë familjen.

Përbërësit

200 gr sheqer

200 gr gjalpë

20 gr mjaltë

1 shkop vanilje

85 gr vezë

40 gr pana

485 gr miell

65 gr niseshte orizi

2 gr kripë

4 gr maja

Përgatitja

Hapi i parë dhe më i rëndësishmi kur po përpiqeni të bëni një ëmbëlsirë, është të përgatisni të gjithë përbërësit që receta juaj kërkon.

Pas kësaj mund të vazhdoni me ndjekjen e hapave që receta juaj sugjeron.

Bashkoni dhe përpunoni në një mikser gjalpin, sheqerin dhe mjaltin, derisa të bashkohen me njëri-tjetrin.

Më pas me anën e një thike gërryeni për të nxjerrë ekstraktin e vaniljes nga shkopi dhe punojeni në mikser së bashku me kripën.

Ndërkohë që mikseri punon hidhni me ngadalë vezët dhe panën e freskët.

Ndaloni mikserin dhe vazhdoni duke shtuar miellin, niseshtenë dhe majanë, përpunojeni derisa të përftoni brumin.

Lëreni brumin të pushojë në frigorifer për 30 minuta.

Pas kësaj kohe formoni me brumin biskotat tuaja duke përdorur format e preferuara.

Piqni në 160° për 20 minuta.