Ballina Artikuj Realiteti i hidhur shqiptar, dhe, disa hapa konkrete drejt rrugëdaljes…! (5)

Realiteti i hidhur shqiptar, dhe, disa hapa konkrete drejt rrugëdaljes…! (5)

Sali Shasivari

Pesë faktorët kryesorë të formësimit të njeriut…!

Nga: Sali Shasivari

Tashmë që në katër shkrimet paraprake të këtij seriali shqyrtuam çështjet që vijojnë: pesë hapat konkrete dhe të domosdoshme në funksion të ndryshimit të realitetit të hidhur…; pesë aspektet, përmes ndryshimit të të cilave ndryshohet vetvetja…; pesë objektivat kryesore të cilat duhet të synohen nga çdo individ, kolektiv, dhe shoqëri…; si dhe, pesë sferat kryesore të njerëzishmërisë dhe ndryshimit kah më e mira…
Në këtë shkrim, do të përqëndrohemi në pesë faktorët kryesorë të formësimit të njeriut, e, që janë:
1. Prindërit dhe Familja
2. Rrethi dhe Shoqëria
3. Institucionet Edukativo-Arsimore
4. Kultura dhe Masmediat
5. Artet dhe Aktivitetet e Lira
S’do mend se, ekzistojnë edhe shumë faktorë tjerë të cilët ndikojnë në formësimin e njeriut, megjithatë, pesë faktorët e lartëpërmendur konsiderohen faktorë kyç në këtë proces, edhe atë, në saje të rëndësisë dhe ndikimit që kanë!
Së këndejmi, në vazhdim, do të mundohemi që në pika të shkurtëra të flasim mbi secilin prej këtyre pesë faktorëve…
1. ‘Prindërit dhe Familja’: Prindërit dhe familja kanë qenë, janë, dhe do të mbeten çerdheja e parë e dashurisë, ngrohtësisë, sigurisë, edukimit, arsimimit, dhe përgatitjes së gjeneratave të reja; gjenerata këto, të cilat simbolizojnë vazhdimësinë dhe mbijetesën e qenies njeri në këtë botë, në funksion të mbarëvajtjes dhe kultivimit të jetës së dinjitetshme në të; funksion ky, i cili, njëherit, paraqet edhe shkakun kryesor të krijimit të njeriut në Tokë, respektivisht, që të jetë ‘mëkëmbës i Zotit’ në të…! Prandaj, Islami, si platformë jete, ‘mbrojtjen e pasardhësve’ apose ‘ruajtjen dhe kultivimin e familjes’ e përcaktoi si një nga objektivat kryesore dhe më të larta të tij…! Mbase, në saje të kësaj që u tha, mund t’i kuptojmë mirëfilli shkaqet, arsyet, dhe qëllimet e atyre që nuk ia duan të mirën njerëzimit, të cilët kanë vënë në cak ‘shkatërrimin e institucionit familje’ përmes planeve, agjendave, dhe metodave të tyre sataniste, anarkike, dhe apokaliptike…! Andaj, kujdes!!!
2. ‘Rrethi dhe Shoqëria’: Rrethi dhe shoqëria paraqet mbështjellësin e jashtëm të ‘bërthamës familjare’… Andaj, çdo dobësi, anomali, apo ‘sëmundje’ që mund ta kaplojë rrethin dhe shoqërinë, me automatizëm do të reflektonte në ‘bërthamë’…! Me një fjalë, rrethi dhe shoqëria është ‘shtresë mbrojtëse’ e familjes, dhe se, familja dhe shoqëria janë të lidhura organikisht, me ç’rast, dobësimi i imunitetit të njërit prej tyre, reflekton dosido në dobësimin e imunitetit të tjetrit…! Andaj, asnjëri prej këtyre dy faktorëve nuk guxon të neglizhohet në llogari të faktorit tjetër…! Jo rastësisht, fjala e urtë popullore thotë: “Nëse diç e keqe vjen në kojshi, prite edhe në shtëpi”!
3. ‘Institucionet Edukativo-Arsimore’: S’do mend se institucionet edukativo-arsimore luajnë rol shumë të rëndësishëm në përgatitjen e brezave të rinj për jetë. Mirëpo, për funksionimin dhe ndikimin e mirëfilltë të institucioneve edukativo-arsimore, nevojitet funksionimi i mirëfilltë i të ashtuquajturit ‘trekëndësh pedagogjik’, e, që nënkupton, trekëndëshin ‘familje – shkollë – shoqëri’… Kjo, ngase, institucionet edukativo-arsimore dhe shoqëria janë të lidhura në mënyrë kauzale dhe komplementare në mes veti, me ç’rast, në qoftë se që të dyja funksionojnë ashtu si duhet, rezultatet pozitive do të jenë evidente dhe të pashmangshme. Ndërsa, në momentin kur njëra prej tyre kaplohet nga defektet dhe problemet, do të shohim se, të njejtat defekte dhe probleme, do të reflektohen me automatizëm edhe në “palën” tjetër…! Kështu, për shembull, problemet dhe anomalitë të cilat e ndoqën shoqërinë tonë në vazhdimësi, dhe të cilat u bënë më të theksuara gjatë periudhës së tranzicionit, ndikuan dukshëm edhe në sistemin edukativo-arsimor, me ç’rast, njëri nga institucionet që u trondit më së shumti gjatë kësaj periudhe të tranzicionit ishte shkolla dhe institucionet tjera edukativo-arsimore…! Në saje të kësaj që u tha, del në pah edhe maksima e njohur, e cila tingëllon: “Në qoftë se shkolla ka probleme dhe defekte, shkaku, në mes tjerash, duhet kërkuar në shoqëri; dhe, në qoftë se në shoqëri paraqiten probleme dhe defekte të shumta, shkaku, në mes tjerash, duhet kërkuar në shkollë dhe në sistemin arsimorë”!
4. ‘Kultura dhe Masmediat’: ‘Kultura’ është ‘kodi gjenetik’ i një populli… Ajo, jo vetëm që luan rol në sforcimin e ndjenjës së përkatësisë, por, e njejta, ndikon në ndërtimin e civilizimit specifik të një populli, si dhe, në sendërtimin dhe kultivimin e identitetit gjegjës…! Mbase, ajo (kultura) paraqet ‘aspektin intelektual’ të civilizimit… Në anën tjetër, ‘masmediat’ luajnë rol të madh dhe vendimtar në orientimin e masave dhe popujve…! Mirëpo, realiteti shqiptar në këto dy sfera është tejet i hidhur, me ç’rast, në mes tjerash, përpos që kemi mangësi të shumta në sferën e kultivimit dhe konsolidimit të kulturës mbarëshqiptare, ne kemi shumë pak – apose aspak – intelektualë, elita, dhe institucione të cilat diskutojnë rreth çështjeve të kulturës, civilizimit, dhe identitetit shqipëtar… Kjo, nga njëra anë, ndërsa, nga ana tjetër, ‘masmediat’ e ‘shqipërive’ tona, në vend që të debatojnë, denoncojnë, dhe dënojnë fenomenet negative të cilat e kanë kapluar popullin shqipëtar…; të njejtat, janë katandisur në ‘gjueti shtrigash’ ndaj gjithçkahit që është vlerë, e drejtë, e mirë, dhe e moralshme…! Andaj, duke marë parasyshë rolin e madh dhe vendimtar që luajnë ‘proceset dhe aktivitetet enkulturuese’ dhe ‘masmediat’, si dhe, duke marë parasyshë realitetin e hidhur mbarëshqiptar në këto dy sfera…; mbetet shumëçka për t’u bërë në këto dy fusha…!
5. ‘Artet dhe Aktivitetet e Lira’: Artet dhe aktivitetet e lira përbëjnë pjesë tejet të rëndësishme dhe komplementare për faktorët tjerë paraprak, jo vetëm duke reflektuar vlerat e lartëpërmendura, por në të njejtën kohë, duke i përsosur të njejtat, edhe atë, si në aspektin përmbajtësor dhe estetik, poashtu edhe në aspektin shprehimor dhe diciplinor…! Andaj, assesi nuk duhet neglizhuar dhe nënvlerësuar rolin që luajnë artet dhe aktivitetet e lira në formësimin e njeriut dhe shoqërive në përgjithësi…!
Të gjithë faktorët e lartëpërmendur janë tejet të rëndësishëm në formësimin e njeriut, dhe se, neglizhimi i cilitdo prej tyre do të ndikonte në prishjen e ekuilibrave individual dhe shoqëror…; e, lere më, po qe se të njejtët faktorë anashkalohen, luftohen, apo shkatërrohen…!
Në këtë kontekst, mjafton të përkujtojmë fjalët e njërit prej orientalistëve, i cili thotë: “Nëse doni të shkatërroni qytetërimin e një kombi, ka tre mënyra: shkatërrimi i familjes, shkatërrimi i arsimit, dhe, shembja e modeleve”, për ta kuptuar rëndësinë e asaj që u tha më lartë…!

Exit mobile version