Pesë sferat fundamentale të njerëzishmërisë dhe ndryshimit kah më e mira…!
Nga: Sali Shasivari
Meqë në tri shkrimet paraprake të këtij seriali (në të cilin po mundohemi ta shqyrtojmë ‘Realitetin e hidhur shqiptar dhe disa nga hapat konkrete drejt rrugëdaljes’) fillimisht konstatuam se procesi i ndryshimit kah më e mira dhe në funksion të ndryshimit të realitetit të hidhur fillon nga vetvetja, me ç’rast përmendëm pesë hapa konkrete dhe të domosdoshme që kërkohen në këtë drejtim …; e, mëpastaj, në shkrimin e rradhës, shpjeguam pesë aspektet, përmes ndryshimit të të cilave ndryshohet vetvetja…; duke kaluar në shkrimin e tretë, ku shqyrtuam pesë objektivat kryesore të cilat duhet të synohen nga çdo individ, kolektiv, dhe shoqëri…
Në këtë shkrim, do të fokusohemi në pesë sferat kryesore të njerëzishmërisë, e, që janë:
1. Sfera e Vetëdijes
2. Sfera e Turpit
3. Sfera e Ndjenjave
4. Sfera e Emocioneve
5. Sfera e Ndërgjegjes
Andaj, a thua vallë, çka nënkuptojnë dhe çka përfshijnë këto sfera?
S’do mend se, sferat në fjalë paraqesin nocione, koncepte, dhe përmbajtje tejet komplekse, për të cilat ia vlenë të bisedohet gjërë e gjatë… Mirëpo, natyra e këtij shkrimi na imponon që ndaj secilës prej tyre të bëjmë një qasje të shkurtër dhe koncize…
Së këndejmi, them:
1. ‘Sfera e Vetëdijes’: S’do mend se, çështja e ‘vetëdijes’ është një nga çështjet më komplekse në historinë e mendimit njerëzor, dhe se, ky nocion dhe koncept vazhdon të mbetet objekt i shumë bisedave, debateve dhe studimeve… Mirëpo, ajo që kemi për qëllim në këtë shkrim të shkurtër dhe modest nuk janë kuptimet antropologjike, filozofike, dhe psikologjike të këtij nocioni dhe koncepti kompleks, porse, ajo që kemi për qëllim është ‘Vetëdija’ në kuptim të ‘aftësisë së të dalluarit të së bardhës nga e zeza, të së mirës nga e keqja, dhe, të së bukurës nga e shëmtuara’, duke u bazuar gjithmonë në ‘Dritën e Shpalljes Hyjnore’, si dhe në përvojat individuale dhe kolektive…! Andaj, në këtë aspekt, ngritja dhe kultivimi i ‘vetëdijes’ – si në nivel individual poashtu edhe në atë kolektiv – mbetet obligim parësor dhe prioritar për gjithësecilin prej nesh…!
2. ‘Sfera e Turpit’: ‘Ndjenja e Turpit’, jo vetëm që është ‘degë e fesë’ apo ‘pjesë e fesë’, por, disa mendimtarë – siç është rasti me filozofin musliman bashkëkohor Dr Taha Abdurrahman – e konsiderojnë atë si ‘cilësi kryesore prej së cilës rrjedh morali, dhe rreth së cilës sillet thelbi i fesë’… Mbase, nuk do të ekzagjeronim po qe se konstatojmë se, shumica e fjalëve dhe sjelljeve të këqija, veprave të shëmtuara, si dhe pasojave negative – qoftë në nivel individual apo shoqëror – vijnë si rezultat i mungesës së ‘turpit’… Andaj, Profeti Muhamed (paqa dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të) thotë: “Ndër fjalët e profecisë së parë që njerëzit kuptuan ishte: Nëse nuk të vjen turp, atëherë bëj çfarë të duash”… Prandaj, kultivimi i ‘Ndjenjës së Turpit’ është shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për mbarëvajtjen e jetës së individit dhe të shoqërisë…!
3. ‘Sfera e Ndjenjave’: ‘Ndjenjat’ janë një proces kompleks që mund të rezultojë nga gjendja shpirtërore, nga kujtimet, ose nga gjendja spontane mendore e prodhuar nga një situatë ose stimul i caktuar… Andaj, është shumë e rëndësishme që të kultivojmë bindje, përvoja, dhe kujtime pozitive të cilat do të reflektoheshin në ‘Ndjenja të Pastra’… Kjo, ngase, “Në fillim të çdo marrëdhënieje shfaqen ndjenjat, dhe në fund të saj shfaqet morali”… Madje, “Virtyti dhe pastërtia nuk ndryshojnë shumë nga vesi i keq, nëse nuk pastrohen nga ndjenjat e liga”…; dhe se, “Ndryshimi për mirë ndodh përmes drejtësisë në zemra, dhe se drejtësia në zemra mund të arrihet vetëm përmes drejtësisë në ndjenja”…! (https://mawdoo3.com/%D9%83%D9%84%D8%A7%D9%85_%D8%B9%D9%86…)
4. ‘Sfera e Emocioneve’: ‘Emocionet’ janë përgjigje psikologjike dhe fiziologjike që i kryen truri i personit, si përgjigje ndaj stimujve nga mjedisi i jashtëm (http://revistapsikologji.com/pese-dallimet-kryesore-mes…/)… Së këndejmi, zgjedhja e rrethit dhe faktorëve të jashtëm, kultivimi i raporteve të mira, si dhe krijimi i alternativave dhe mekanizmave mbrojtës kundrejt stimujve negativ, sidomos në këto kohëra kur është tejet e theksuar ‘loja dhe manipulimi me emocionet dhe ndjenjat e njerëzve’ – do të ishte tejet i rëndësishëm për kultivimin e ‘Emocioneve të Shëndosha’…!
5. ‘Sfera e Ndërgjegjes’: Edhe kjo sferë paraqet një nga çështjet tjera tejet komplekse në historinë e mendimit njerëzor… Mirëpo, larg nga bisedat, debatet dhe studimet antropologjike, filozofike, dhe psikologjike përkitazi me këtë nocion dhe koncept kompleks…; ajo që kemi për qëllim në këtë kontekst është ‘Ndërgjegjja’ si mekanizëm dhe barometër rregullator, kontrollues, dhe qortues ndaj veprimeve tona individuale dhe kolektive, me ç’rast, sa herë që bëjmë mirë, na bën të ndjehemi të qetë dhe të plotësuar, ndërsa, sa herë që bëjmë keq, na bën të ndjehemi të shqetësuar dhe të mangët… Në këtë kuptim, zgjimi dhe kultivimi i ‘Ndergjegjes së Pastër’ mbetet shenjë dalluese e njerëzishmërisë së njeriut, si dhe ngritjes së tij në rrafshin personal dhe kolektiv…!
Pa ngritjen, kultivimin, dhe fisnikërimin e këtyre pesë sferave, jo vetëm që do të dështonte çdo tentativë për ndryshim kah më e mira, por do të vëndohej në pikëpyetje edhe vetë njerëzishmëria jonë…!
Për më tepër, ndonëse secila sferë nga sferat e lartëpërmendura është tejet e rendësishme në funksion të ndryshimit të realitetit të hidhur… Megjithatë, ‘sfera e vetëdijes’ mbetet sfera kryesore determinante, e cila ka ndikim të drejtpërdrejtë dhe vendimtar në të gjitha sferat tjera…!
Andaj, ‘ngritja e vetëdijes individuale dhe kolektive’ konsiderohet prioritet i prioriteteve për ndryshim kah më e mira…!