Pesë objektivat e domosdoshme dhe vitale!
Nga: Sali Shasivari
Në vazhdën e këtij seriali të shkrimeve modeste, në të cilat po mundohemi ta shqyrtojmë ‘Realitetin e hidhur shqiptar, dhe disa nga hapat konkrete drejt rrugëdaljes’, tema në fjalë na imponon detyrimisht bisedën në lidhje me objektivat kryesore të cilat duhet të synohen nga çdo individ, kolektiv, dhe shoqëri…; objektiva këto, të cilat, jo vetëm që janë të domosdoshme për mbijetesë si dhe për jetë të dinjitetshme dhe të ekuilibruar, por, të njejtat, janë vitale për mbarëvajtjen e jetës normale, të lumtur, dhe progresive…; dhe se, neglizhimi i të njejtave, jo vetëm që do të ndikonte në prishjen e balansit jetësor, por, do të rrezikonte vetë jetën dhe vazhdimësinë e llojit njerëzor…!
Në mesin e këtyre objektivave, dijetarët islam kanë veçuar pesë objektiva të domosdoshme dhe vitale, të cilat, njëherit, konsiderohen objektiva të domosdoshme madhore të Islamit si fe…; e, ato janë:
1. Mbrojtja dhe Kultivimi i Fesë
2. Mbrojtja dhe Kultivimi i Jetës
3. Mbrojtja dhe Kultivimi i Mendjes
4. Mbrojtja dhe Kultivimi i Familjes
5. Mbrojtja dhe Kultivimi i Pasurisë
Secili objektiv nga objektivat e lartëpërmendura meriton enciklopedi, libër, apo temë në vehte… Mirëpo, duke marë parasyshë natyrën e shkrimit, unë do të mundohem t’i qasem secilit element nga elementet e lartëpërmendura në mënyrë të shkurtër dhe koncize…
Së këndejmi, them se:
1. Nën objektivin ‘Mbrojtja dhe Kultivimi i Fesë’ është për qëllim mbrojtja dhe kultivimi i Islamit si fe, bindje, dhe sistem jete… Fe kjo, e cila iu shpall njerëzimit me qëllim që të jetë: udhërrëfyese për njeriun në këtë jetë…; mbrojtëse e vlerave njerëzore, normave morale, dhe kodeve etike…; garantuese e lirisë, paqes, harmonisë, dhe mirëqenies së njeriut në këtë botë…; si dhe, garancë për jetë të dinjitetshme të njeriut në këtë botë, si dhe shpëtim të tij në Botën Tjetër… Andaj, çdo keq-kuptim, keq-interpretim, keq-përdorim, instrumentalizim, neglizhencë, apo largim nga kjo fe e pastër, jo vetëm që shkakton një sër defektesh dhe pasojash në nivel individual, kolektiv, dhe shoqëror, por, një gjë e tillë, dosido, do të ketë domino-efekt edhe tek objektivat tjera… Kjo, ngase, ky objektiv është promotori dhe garantuesi i gjitha objektivave tjera… Për më tepër, ky objektiv stimulon kultivimin e fesë përmes gjitha formave dhe mënyrave më pozitive dhe më konstruktive, me qëllim që të jep frytet e saj në çdo sferë të jetës…!
2. Objektivi ‘Mbrojtja dhe Kultivimi i Jetës’, përpos që nënkupton mbrojtjen e jetës si të tillë nga gjithçka që e rrezikon sigurinë dhe ekzistencën e saj, siç është krimi, vrasja, vetëvrasja, rrezikimi i saj përmes dhënies pas veprimeve të dëmshme dhe të rrezikshme, etj.; ky objektiv, në të njejtën kohë, ngërthen në vehte mbrojtjen e natyrshmërisë, dinjitetit, identitetit, sigurisë, kualitetit, mirëqenies, lumturisë, dhe mbarëvajtjes së jetës së njeriut… Bile-bile, objektivi në fjalë parasheh edhe kultivimin e praktikave, raporteve, dhe marrëdhënieve pozitive, të cilat do të ndikonin në sigurimin e një jetese të shëndetshme, stabile, dhe me standarde të larta…!
3. Duke marë parasyshë faktin se Zoti e dalloi qenien njeri nga të gjitha krijesat tjera përmes racios / mendjes që ia dhuroi…; në saje të kësaj, ‘Mbrojtja dhe Kultivimi i Mendjes’ zë vend të rëndësishëm në mesin e objektivave kryesore dhe të domosdoshme… Së këndejmi, Islami ndaloi çdo gjë që e neglizhon, mjegullon, cenon, apo dëmton mendjen dhe të menduarit e shëndoshë, duke filluar nga injoranca, bindjet e gabuara, dhe ideologjitë e devijuara, e deri te konsumimi i alkoolit, lëndëve narkotike, etj., si dhe, ftoi në gjithçka që e mbron dhe kultivon mendjen dhe të menduarit e shëndoshë, siç është arsyeja, meditimi, kërkimi i diturisë, ruajtja e shëndetit mental, etj.!
4. Një nga qëllimet kryesore të krijimit të njeriut ishte që njeriu të jetë mëkëmbës i Zotit në tokë… Madje, Zoti e krijoi njeriun si qenie sociale, dhe në epiqendër të shoqërisë e caktoi familjen si bërthamë e shoqërisë… Në saje të kësaj, ‘Mbrojtja dhe Kultivimi i Familjes’ paraqet një nga objektivat kryesore dhe të domosdoshme për mbarëvajtjen dhe vazhdimësinë e jetës në këtë planetë… Andaj, konform këtij objektivi, ndalohet çdo ideologji, agjendë, apo veprim që e cenon apo rrezikon këtë bërthamë, si dhe, nxitet dhe stimulohet çdo plan, qëndrim dhe veprim i cili e mbron dhe e kultivon këtë ‘institucion të shenjtë’…!
5. S’do mend se pasuria është mjet dhe mekanizëm i domosdoshëm dhe i rëndësishëm për një jetë të ndershme dhe dinjitoze… Andaj, ‘Mbrojtja dhe Kultivimi i Pasurisë’ paraqet një nga objektivat e domosdoshme dhe vitale… Së këndejmi, në këtë drejtim, Islami, përpos që ndalon çdo veprim i cili e nëpërkëmb pasurinë, që e keqpërdor, apo që e cenon ate, siç është vjedhja, korrupcioni, kamata, bixhozi, lojërat e fatit, etj., ai, në të njejtën kohë, stimulon dhe nxit punën e ndershme dhe vetëmohuese, fitimin hallall, investimin e lejuar dhe rentabil, etj.!
Përmes synimit dhe realizimit të objektivave të lartëpërmendura, ne, në realitet, sigurojmë interesat madhore, të domosdoshme / të patjetërsueshme, dhe vitale të çdo individi, kolektivi, shoqërie, apo entiteti… Dhe se, neglizhimi i cilitdo prej tyre, do të rrezikonte shembjen e ‘kalasë jetësore’…!
Historia dhe praktika ka dëshmuar se, ‘zbehja e besimit’, ‘nëpërkëmbja e jetës’, ‘neglizhimi i mendjes’, ‘shkatërrimi i familjes’, dhe ‘keqpërdorimi i pasurisë’, janë determinantet kryesore të dekandencës së një shoqërie, kulture, dhe civilizimi…!
Së këndejmi, është obligim i të gjithë faktorëve relevantë edukativo-arsimor, studimoro-shkencor, socio-kulturor, mediatiko-artistik, etj., që të angazhohen – secili në sferën e vete – në mbrojtjen dhe kultivimin e objektivave të lartëpërmendura!
Kjo, ngase, të gjithë jemi në një ‘anije’…; dhe se, çfarëdo vrime e shkaktuar në të, do të rrezikonte fundosjen e saj dhe gjithë neve që gjendemi në të, pavarësisht së kush është shkaktari…! Apose, siç thotë fjala e urtë popullore, ‘Përmes drurit të thatë, digjet edhe i njomi’!
Andaj, kujdes!
(Vërejtje: Ky artikull është publikuar në portalin e gazetës ‘Koha’ – Maqedoni – të Shtunën, më 30 Mars 2024; Shkas: realiteti i hidhur mbarëshqiptar…).