Realiteti i hidhur shqiptar, dhe, disa hapa konkrete drejt rrugëdaljes…! (2)

Sali Shasivari

Le të ndryshojmë vetveten, që të ndryshojë realiteti ynë…!
Nga: Sali Shasivari
Në një nga shkrimet paraprake, në të cilin fola rreth ‘Realitetit të hidhur shqiptar, dhe disa nga hapat konkrete drejt rrugëdaljes’, mbi të gjitha, konstatova se, procesi i ndryshimit kah më e mira dhe në funksion të ndryshimit të realitetit të hidhur, fillon nga poshtë-lartë, d.m.th. duke filluar nga vetvetja / individi, e, mëpastaj familja, rrethi, shoqëria, e duke shkuar më lartë…; e, assesi, nga lartë-poshtë, ashtu siç rëndom mendohet dhe tentohet…!
Andaj, në këtë shkrim do të fokusohem rreth pyetjes në lidhje me atë se: A thua vallë, si mund të ndryshohet vetvetja dhe individi, respektivisht, si ndryshohet njeriu?
Të shumta janë idetë, mendimet, teoritë, metodat, mekanizmat, qasjet, teknikat, etj. të cilat janë propozuar në këtë drejtim nga teoreticientë, dijetarë, dhe ekspertë të fushave të ndryshme studimore që kanë të bëjnë me natyrën dhe sjelljet e njeriut… Mirëpo, nga të gjitha ato, unë kam përzgjedhur pesë hapat e propozuara nga dijetari i mirënjohur kuvajtian, Dr Tarik el-Suvejdan, cili konstaton se, ndryshimi i njeriut ndodh kur ai ndryshon pesë gjëra, edhe atë:
1. Bindjet
2. Interesat / Preokupimet
3. Shkathtësitë
4. Lidhjet
5. Shembujt / Modelet
E, s’do mend se, secili nga elementet e lartëpërmendura nuk është thjeshtë fjalë goje, por mbi të gjitha, është nocion dhe proces që ngërthen në vehte shumë elemente dhe veprime…
Megjithatë, duke marë parasyshë natyrën e shkrimit, unë do të mundohem që në mënyrë të shkurtër dhe koncize t’i qasem secilit element nga elementet e lartëpërmendura nga këndvështrimi im personal…
Andaj, them se:
1. ‘Bindjet’ (e, që përfshijnë: parimet, idetë, mendimet, ambicjet, etj.), janë bazamenti i formësimit të individit, dhe se, të njejtat e diktojnë kursin e tij jetësor. Çdo gjë fillon si ide dhe mendim, e mëpastaj shndërrohet në bindje e cila i vë në lëvizje shqisat dhe gjymtyrët e njeriut. Nëse këto mendime dhe bindje janë të gabuara dhe negative, të njejtat do të reflektohen në sjelljen dhe veprimet e personit në gjitha sferat e jetës dhe aktivitetit të tij. Andaj, mbjellja, formësimi, dhe kultivimi i mendimeve dhe bindjeve të shëndosha është kyç dhe i domosdoshëm për formësimin dhe sendërtimin e individëve të shëndoshë dhe produktiv…; dhe, anasjelltas… Së këndejmi, nëse një individ ngërthen në vehte mendime dhe bindje të gabuara, ndryshimi i të njejtave është parakusht për çfarëdo ndryshimi tjetër…!
2. ‘Interesat / Preokupimet’ (apose, gjërat me të cilat personi e kalon kohën e lirë…), po aq sa janë refleksion i mendimeve dhe bindjeve, të njejtat, me kalimin e kohës, dhe, si rezultat i përsëritjes, jo vetëm që cementojnë edhe më shumë mendimet dhe bindjet e njeriut, por, të njejtat, shndërrohen në vese, dhe fillojnë ta pllakosin dhe determinojnë rrjedhën dhe fatin e individit… Andaj, sa më herët të intervenohet në ndryshimin e preokupimeve dhe veseve të gabuara, aq më i lehtë dhe më i suksesshëm do të jetë ndryshimi kah e mira… Dhe, në të kundërtën, sa më i vonshëm intervenimi, aq më i vështirë ndryshimi…!
3. ‘Shkathtësitë’ zakonisht paraqesin aftësitë zotëruese të individit në kryerjen e diçkahit në mënyrën më të mirë të mundshme, me pasion dhe me lehtësi… Rëndom, shkathtësitë, si rezultat i përsëritjes së të njejtave, shndërrohen në ‘shprehi’; që nënkupton se, personi arrin që të njejtat t’i kryej në mënyrë automatike… Andaj, në qoftë se shkathtësitë dhe shprehitë e një personi në sfera të caktuara janë të mira dhe pozitive, të njejtat duhet të stimulohen dhe inkurajohen edhe më shumë… Por, nëse të njejtat janë negative, atëherë, ndryshimi i tyre gradual kah përmirësimi i të njejtave është i domosdoshëm…; ngase, si të tilla, impakti i tyre negativ është tejet i rrezikshëm, si për individin, poashtu edhe për shoqërinë…!
4. ‘Lidhjet’ e individit me persona tjerë në rrethin dhe shoqërinë e tij janë tejet determinante në lidhje me sjelljen dhe veprimet e tij… Nga ky realitet rrjedh edhe fjala popullore e cila thotë: ‘Më trego me kë rri, të të tregoj se kush je’! Së këndejmi, përzgjedhja e lidhjeve dhe raporteve të individit është tejet e rëndësishme në formësimin dhe sjelljen e tij të gjithmbarshme… Andaj, në qoftë se një person është në lidhje dhe raporte me persona të gabuar, ndryshimi i rrethit, lidhjeve, dhe raporteve të tilla është tejet i rëndësishëm dhe i domosdoshëm…!
5. ‘Shembujt / Modelet’ paraqesin jo vetëm inspirim dhe orientim, por të njejtat luajnë rol shumë të madh në kahjen dhe drejtimin që do ta ndjek një person përgjatë rrugëtimit të tij jetësor, duke u bazuar në shembujt dhe modelet që i servohen, dhe të cilat, mëpastaj, shndërrohen në udhërrëfyes për të… Kur këto shembuj dhe modele janë të mirë dhe pozitivë, është fat i mirë… Mirëpo, fatkeqësia qëndron në atë se, në ditët e sotme, ne gjithmonë e më tepër jemi dëshmitarë të tendencës së anashkalimit dhe përbaltjes së shembujve dhe modeleve të mira dhe pozitive, si dhe promovimit dhe glorifikimit të shembujve dhe modeleve të këqija dhe negative… Së këndejmi, në një realitet të këtillë, demaskimi dhe kritikimi i shembujve / modeleve negative, si dhe krijimi dhe promovimi i shembujve / modeleve pozitive është tejet vendimtar për ndryshimin e njeriut…!
Secili nga këto aspekte është tejet i rëndësishëm për ndryshimin e njeriut… Mirëpo, nga gjitha këto aspekte, ajo që është prioritare dhe vendimtare, bile edhe parakusht i domosdoshëm i ndryshimit në sferat tjera, është ndryshimi i bindjeve… Kjo, ngase, gjithçka fillon si njohje, ide, mendim, parim, dhe besim, e mëpastaj shndërrohet në bindje, konkluzion, vendim, veprim, dhe ekzekutim…!
Madje, aq sa do të arrijmë të ndryshojmë nga aspektet e lartëpërmendura, po aq do të ndryshojë njeriu… Dhe se, vetëm ndryshimi në të gjitha sferat do të siguronte ndryshimin rrënjësorë dhe të plotë të njeriut…!
Për më tepër, bartës të këtyre aspekteve të ndryshimit duhet të jenë të gjithë faktorët relevantë edukativo arsimor, studimoro-shkencor, socio-kulturor, mediatiko-artistik, etj.; secili – qoftë ai individ, grup, ekip, institucion – në sferën e vete…!
“Ndryshimi, që kërkojmë nga të tjerët, nisë nga vetja”!
(Vërejtje: Ky artikull është botuar në gazetën ‘Koha’ – Maqedoni – sot, më 21 Mars 2024; Shkas: realiteti i hidhur mbarëshqiptar, dhe, disa hapa konkret drejt rrugëdaljes…).