Real Madrid është rikthyer në krye të La Ligas pas El Clasicos që u zhvillua në “Santiago Bernabeu”.
Mretërit kanë triumfuar para tifozëve të tyre ndaj Barcelonës me rezultat 2-0 në ndeshjen e xhiros së 26-të të ligës spanjolle.
Golin e parë në ndeshje e shënoi Vinicius Junior në minutën e 71-të, pas një asisti të menduar shumë mirë nga Toni Kroos.
Para këtij goli rast të mirë kishte edhe Isco, por gjuajtjen e tij e priti Ter Stegen në cepin e portës.
Rezultatin e dyfishoi Mariano në minutat shtesë të ndeshjes. Ai shënoi me topin e parë që preku pasi u inkuadrua në lojë.
Me këtë fitore, Reali ngjitet në krye me 56 pikë, një më shumë se Barcelona në vendin e dytë.