Real Madrid thirrje tifozëve që titullin ta festojnë në shtëpi

Futbollistët e Real Madridit të enjten mbrëma kanë rastin që me fitoren ndaj Villarreal-it, një xhiro para përfundimit të La Ligës, të sigurojnë titullin e 34-të të kampionit të Spanjës. Duke marrë parasysh rrezikun momental nga përhapja e koronavirusit, nga “klubi mbretëror” u bënë thirrje tifozëve që fitimin e titullit ta festojnë në shtëpi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ekipi i Zinedin Zidane është afër kupës së kampionit që Real Madrid e pret tashmë tre vite. Por klubi shpejtë veproi dhe luti tifozët që të mos festojnë si zakonisht tek shatërvani Cibeles në qendër të Madridit.

Sipas informacioneve të mediave spanjolle, në rast se tifozët masivisht dalin në rrugët e Madridit, autoritetet qytetare do të ndërmarrin përgjegjësi dhe do t’i shpërndajnë njerëzit.

Dy xhiro para përfundimit të sezonit, Real Madrid është në vendin e parë me 83 pikë, katër më shumë se rivali më i madh Barcelona.