Real Madridi dhe Barcelona kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë kundër FIFA-s dhe UEFA-s, i cili i pengon dy organet drejtuese të sanksionojnë klubet që kërkojnë të fillojnë një Superligë Evropiane.
Menjëherë pasi drejtuesi i kompanisë organizuese A22, Bernd Reichart, deklaroi zyrtarisht pas vendimit, një gjë të tillë e bënë edhe dy klubet e vetme të mbetura në Superligën Evropiane, Real Madridi dhe Barcelona.
Pas vendimit, presidenti i Barcelonës, Joan Lapora e quajti atë një mundësi historike për të shpërndarë më mirë pasurinë në futboll midis klubeve. Ai ishte i qartë për faktin se kjo “nuk kishte për qëllim të shkonte kundër ligës spanjolle apo garave kombëtare”, por tha se mënyra se si ishte strukturuar futbolli aktualisht favorizonte klube me pasuri të pakufizuar, pa dyshim duke iu referuar Manchester City, Newcastle United dhe Paris Saint-Germain.
“Drejtësia Evropiane është dakord me ne. Ekziston një situatë monopoli. Një mundësi historike hapet për të zgjidhur disa nga problemet serioze që komprometojnë klubet”, tha ndër tjerash Laporta.
Ndërkohë, edhe presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka bërë një deklaratë pas vendimit, duke deklaruar se nga sot ‘futbolli është në duart e klubeve, tifozëve dhe lojtarëve’.
“Sot do të shënojmë një para dhe pas në historinë e futbollit evropian. Më në fund ne mund të punojmë me liri, pa frikë nga ndëshkimi, në mënyrë që të përparojmë lojën dhe ta bëjmë atë më tërheqëse për tifozët”.
“Në ditët në vijim do të studiojmë gjerësisht shtrirjen e këtij vendimi, por mendoj se mund të nxjerrim dy përfundime nga kjo. Së pari, futbolli nuk është më dhe nuk do të jetë më monopol. Dhe së dyti, që më në fund klubet do të jenë zotëruesit e fatit të tyre”, ka thënë Perez.
Nuk ka ende një përfundim për hapat e ardhshëm. Superliga Evropiane tani mund të vazhdojë pa frikën e sanksioneve nga organet drejtuese, por nëse ata nuk mund të bindin klubet e tjera të mëdha të marrin pjesë, atëherë vendimi do të bëhet disi i tepërt gjithsesi.