Real Madrid – Barcelonë, finalja e Superkupës së Spanjës

Real Madridi ka fituar 3:0 ndaj Mallorcas dhe e ka siguruar finalen e 12 janarit, ku do të luajë kundër Barcelonës në “El Clasicon” e radhës.

Në gjysmëfinalen e zhvilluar të enjten mbrëma në stadiumin “King Abdullah Sports City” në Jeddah të Arabisë Saudite, ndeshjen e kompletoi edhe sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi.

Por, shtatlarti i “Dardanëve” nuk la gjurmë në këtë ballafaqim.

Jude Bellingham në minutën e 63-të e shënoi golin e parë për madrilenët.

Dy golat tjerë u shënuan në minutat shtesë.

Fillimisht, sllovaku Martin Valjent realizoi autogol në minutën e 92-të, kurse Rodrygo në minutën e 95-të e vendosi rezultatin përfundimtar.

Pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit kryesor, pati tensione në fushë mes futbollistëve, por pa ndonjë incident.

Real Madrid dhe Barcelona do të ndeshen në finale të Superkupës së Spanjës. Ndeshja do të nisë të dielën në orën 20:00.