Paralajmërimin për një urdhërarrest ndaj Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje e vlerëson si ndikim politik të një ‘shteti të kapur’.
Albin Kurti, njëri nga katër deputetët e “Vetëvendosjes” të akuzuar për aktivizim të gazit lotsjellës në seancat e Kuvendit nuk ishte i pranishëm në gjykatë.
Gjyqtari Beqir Kalludra paralajmëroi se do të merren masa për këtë çështje.
Ai paralajmëroi sot lëshim të urdhërarrestit dhe paraburgim ndaj Albin Kurtit.
Shkodran Hoti, zëdhënës i Vetëvendosjes, tha se ky urdhërarrest është ndikim politik, siç e quajti ai nga një “shtet i kapur”.
“Është ndikim politik, sepse në njërën anë është lëshuar urdhër arrest për Albin Kurtin në anën tjetër janë dhënë gjoba qesharake për dëshmitarët të cilët është dashtë me qenë aty përfshirë edhe kryeparlamentarin, prandaj e konsiderojmë si vazhdim të një padrejtësie që është bërë ndaj tyre që prej fillimi”, tha Hoti.
Ai shtoi se kjo dëshmon drejtësinë në Kosovë pasi, sipas Hotit, strukturat paralele të Serbisë qëndrojnë të pavarura në Kosovë ndërsa deputetët e Kosovës arrestohen për shkak të aktiviteteve të tyre.
“Kjo është dëshmi e një shteti të kapur një shteti që s’ka në dorë drejtësi, ne në vazhdimësi e dimë se strukturat paralele të Serbisë, enden të pavarura në Kosovë dhe nuk ka asnjë ndjekje penale kundër tyre ndërsa deputetët e Kosovës arrestohen për shkak të aktivitetit të tyre në Kuvend”, shtoi ai.
Albin Kurti mungoi sot në seancën për aktivizim të gazit lotsjellës në Kuvend.
Në këtë seancë nuk ishte Kurti i vetmi që mungonte.
E pranishme nuk ishte as prokurorja, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, nënkryetari Xhavit Haliti dhe deputetët Armend Zemaj e Naser Osmani që ishin ftuar si dëshmitarë.
Seanca është shtyrë në afat të pacaktuar.