Sot në Bruksel po mbahet raundi i ri i bisedimeve në mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bilsimi dhe Petar Petkoviq.
Sikurse në takimet e tjera edhe sot palët fillimisht do të kenë takime të ndara me të dërguarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, e pastaj pritet një takim trepalësh.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha dje se agjenda do të përfshijë nevojën për fillimin e menjëhershëm të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe që të dyja palët të bien dakord përfundimisht për përparimin në dialog.
Në takimin e fundit në shtator, Lajçak nuk arriti t’i bindë Bislimin dhe Petkoviqin të mbajnë takim trepalësh, pasi ata kishin mospajtime për temat që do të donin t’i shtjellonin.
Në BE, por edhe në NATO gjithnjë e më shumë po shprehin pakënaqësi lidhur me rrjedhën aktuale të dialogut, duke thënë se procesi nuk po prodhon rezultatet e pritura.