Raundi i parë i zgjedhjeve në Francë: E djathta ekstreme e para me 33.15 për qind të votave

Në raundin e parë të zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme të mbajtura dje në Francë, partia Rally National (RN) e udhëhequr nga e djathta ekstreme e Marine Le Pen doli e para, duke fituar më shumë se 33 për qind të votave, transmeton Anadolu.

Sipas rezultateve të zgjedhjeve të shpallura nga Ministria e Punëve të Brendshme, aleanca e ekstremit të djathtë doli e para me 33,15 për qind të votave dhe Aleanca e Frontit të Ri Popullor, e formuar nga partitë e majta, në vendin e dytë me 28 për qind.

Aleanca e presidentit Emmanuel Macron “Së bashku për Republikën” doli në vendin e tretë me 20 për qind të votave.

Ndërsa 76 nga 577 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve, ku partitë dhe aleancat garuan për të fituar në zgjedhje, u fituan në raundin e parë, fituesit e 501 vendeve të mbetura do të përcaktohen në raundin e dytë që do të mbahet më 7 korrik.

– Franca shkon në zgjedhje të parakohshme

RN e ekstremit të djathtë, e cila ka vazhduar të rrisë votat e saj në tri ciklet e fundit zgjedhore në Francë doli e para me një diferencë të madhe në zgjedhjet e Parlamentit Evropian (PE) më 9 qershor, me 31.4 për qind. Më pas, presidenti Macron vendosi të shpërndajë Parlamentin dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme, me raundin e parë më 30 qershor dhe raundin e dytë më 7 korrik.

Ngritja e së djathtës ekstreme në vend shkaktoi pakënaqësi dhe në shumë qytete u mbajtën protesta.

Shumë figura nga partitë e qendrës në Francë bënë thirrje për bashkëpunim kundër të djathtës ekstreme dhe Partia Socialiste (PS), “Franca e Papërkulur” (LFI), Të Gjelbrit (EELV) dhe Partia Komuniste e Francës (PCF) nga krahu i majtë njoftuan se do të veprojnë së bashku dhe kishin vendosur të hyjnë në zgjedhje me emrin Aleanca e Frontit të Ri Popullor.

Presidenti Macron, mandati i të cilit do të përfundojë në prill 2027, njoftoi se nuk do të japë dorëheqje edhe nëse partia e ekstremit të djathtë RN fiton shumicën në Parlament.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante