Rasti ndaj ish-kryeministrit Berisha, mbahet sërish protestë para SPAK-ut

Në Shqipëri është mbajtur sërish protestë në mbështetje të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, organizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë (PD).

Protesta është mbajtur para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK), në kohën që ish-kryeministri dhe kryetari i PD-së, Berisha, është paraqitur në ambientet e prokurorisë për rastin ndaj tij.

Në fillim të janarit 2025 Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë vendosi masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për Berishën, i dyshuar për korrupsion, masë e cila kundërshtohet nga drejtuesit e partisë opozitare, që sipas tyre është e padrejtë.

Në një deklaratë për mediat para ambienteve të prokurorisë, Berisha u shpreh se SPAK-u është i “angazhuar në luftë kundër pluralizmit dhe opozitës”.

“SPAK-u është një institucion politik”, theksoi ndër të tjera ish-kryeministri i Shqipërisë.

Pjesë e protestës ishin edhe deputetë të opozitës, të cilët kanë theksuar se “asgjë nuk e ndal opozitën dhe PD-në për marrëveshje me qytetarët”.

Për mbarëvajtjen e protestës u angazhuan dhjetëra forca policore shtesë, ndërkohë nuk u shënuan incidente apo tensione.

Rasti ndaj ish-kryeministrit Berisha

Më 20 tetor 2023, gjykata i caktoi Berishës masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”. Sipas autoriteteve, Berisha është i dyshuar për korrupsion, ndërsa për dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezi, ishte caktuar fillimisht masa “arrest me burg” dhe më pas “arrest në shtëpi”, i cili dyshohet për korrupsion dhe pastrim parash.

Më 12 dhjetor 2023, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë ndaj ish-kryeministrit Berisha, kërkesë e cila u miratua nga Kuvendi më 21 dhjetor.

Në seancën e datës 30 dhjetor 2023, gjykata vendosi masën arrest në shtëpi ndaj ish-kryeministrit Berisha dhe më 25 janar 2024 la në fuqi të njëjtën masë të sigurisë.

Më 27 nëntor 2024 gjykata vendosi heqjen e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërkohë më 3 janar vendosi masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Objekt i hetimit të këtij procedimi penal, sipas autoriteteve, janë veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportesh Partizani” në Tiranë.