Ylli i Kosovës, Milot Rashica, nuk arriti t’i ndihmojë Werder Bremenit të marrë rezultat më të mirë sesa barazimin 2:2 kundër Hertha Berlinit, përkundër asistimit të tij mbreslënës për golin e dytë të shënuar nga skuadra e tij.
Werder Bremeni u largua nga Olynpiastadion në Berlin të Gjermanisë me një pikë të fituar nga xhiroja e 24-të e Bundesligës, falë barazimit 2:2 kundër Hertha Berlinit, transmeton Gazeta Express.
Ky rezultat nuk është shumë i mirë për skuadrën e Rashicës, që është duke kaluar nëpër një situatë të vështirë dhe rrezikon të bjerë nga liga në fund të sezonit 2019/20.
Aktualisht Bremeni radhitet në pozitën e 17-të, të parafundit, në Bundesligës me vetëm 18 pikë të fituara nga 24 ndeshjet e fundit. Kjo është ndeshja e pestë radhazi që Bremeni s’ka shënuar fitore, pasi i kishte humbur katër ndeshjet paraprake.
Për paraqitjen e tij, Rashica u vlerësua nga SofaScore me notë 7.2, pasi që përveç asistit, ai arriti ta krijojë edhe një tjetër rast të mirë, ishte i saktë në dy tentimet për driblim, përderisa goditja e tij e vetme shkoi jashtë kuadratit të portës.
Kosovari ishte vetëm 62 për qind i saktë në pasime dhe e kompletoi vetëm një nga pesë tentimet për harkime dhe asnjë nga dy tentimet për pasime të gjata.