Rashica: Po punoj fort për të garuar kundër më të mirëve në Ligën e Kampionëve

Milot Rashica nuk tundohet nga lajmet se shumë klube evropiane e duan në ekip gjatë afatit kalimtar të verës, edhe pse e pranon se është duke punuar zellshëm për të garuar kundër lojtarëve më të mirë në botë rregullisht duke luajtur për një klub që merr pjesë çdo sezon në Ligën e Kampionëve.

Për anësorin e Kombëtares së Kosovës flitet vazhdimisht se do të largohet këtë verë nga Werder Bremen, veçanërisht nëse klubi dështon të mbijetojë në Bundesligë, pasi të rinisë sezoni i pezulluar si pasojë e pandemisë koronavirus, raporton Gazeta Express.

Klube si Liverpool, Chelsea dhe Borussia Dortmund, si dhe shumë të tjera në Evropë thuhet të kenë shfaqur interesim për 23-vjeçarin nga Vushtrria, i cili e ka një klauzolë lirimi në vlerë 38 milionë euro në kontratën e tij me Werderin.

Milot Rashica në betejë kundër Jerome Boatengun e FC Bayern Muenchen

Por Rashica këmbëngul se nuk po mendon aspak për të ardhmen dhe se është i përqendruar t’i ndihmojë Werderit ta ruajë qëndrimin në ligën elitare gjermane.

Ai ka kontratë me klubin gjerman deri në verën e vitit 2022.

I pyetur rreth interesimit të madh të klubeve evropiane për të, Rashica tha për SID: “Nuk kam menduar shumë për këtë ende, sepse në gjendjen aktuale sportive mendime të tilla vetëm sa të shpërqendrojnë nga gjërat thelbësore”.

“Në fund të fundit nuk i kryen punë askujt, as mua e aq më pak klubit tim. Unë jam duke e marrë shumë seriozisht gjendjen aktuale dhe dua të bëj gjithçka për ta nxjerr klubin nga ajo”, shtoi kosovari.

Rashica, i cili i ka shënuar 10 gola dhe pesë asiste në 24 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon, megjithatë e pranoi dhe shprehu bindjes së një ditë do të luajë në një ekip që merr pjesë vazhdimisht në garën më të madhe evropiane për klube, Ligën e Kampionëve.

“Një ditë dua të garoj vazhdimisht kundër lojtarëve më të mirë në botë dhe të luaj në Ligën e Kampionëve çdo vit. Po punoj fort për këtë, dhe e di që mund t’ia dal”, shtoi Rashica.