Raportuesja e OKB-së ngre pyetje për heshtjen e gazetarëve ndaj situatës në Gaza

Francesca Albanese, raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara për territoret palestineze të okupuara, ka përshëndetur një letër të publikuar këtë javë nga organizata gazetarësh francezë, të cilët kanë shprehur mbështetje për kolegët e tyre palestinezë në Gaza.

Në të njëjtën kohë, ajo ka ngritur shqetësimin: “Çfarë duhet të ndodhë që gazetarët e tjerë të ngrihen kundër masakrës ndaj kolegëve të tyre?”

Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor 2023, të paktën 175 gazetarë dhe punonjës të medias janë vrarë në Gaza, Bregun Perëndimor të okupuar, Liban dhe Izrael. Ndërkohë, burime nga mediat palestineze e çojnë numrin në 210.

Në letrën e publikuar të martën në gazetën Le Monde, grupet e gazetarëve francezë theksojnë se provat tregojnë se “gazetarët janë shënjestruar në mënyrë të qëllimshme nga ushtria izraelite” në Gaza.

“Ajo që është e qartë për të gjithë mbrojtësit e të drejtave të njeriut është se ushtria izraelite po imponon një errësirë mediatike në Gaza, për të heshtur sa më shumë dëshmitarët e krimeve të luftës të kryera nga trupat e saj, të cilat gjithnjë e më shumë po cilësohen si akte gjenocidale nga organizatat ndërkombëtare dhe trupat e OKB-së,” thuhet në letër. /mesazhi