Shtëpia e Bardhë la derën hapur për mundësinë që presidenti i SHBA-së Donald Trump të bëjë ndalesa shtesë gjatë turneut së tij në Lindjen e Mesme muajin e ardhshëm, mes raportimeve se administrata po mendon për një vizitë të mundshme në Türkiye gjatë këtij udhëtimi, raporton Anadolu.
“Unë nuk kam asnjë detaj në lidhje me udhëtimin jashtë shtetit të presidentit, përveçse të them se ai me siguri do të shkojë në Arabinë Saudite. Mund të ketë më shumë vende si pjesë e atij udhëtimi. Ne jemi duke punuar për detajet”, tha zëdhënësja Karoline Leavitt në përgjigje të pyetjes së një gazetari.
CNN raportoi të enjten se Trump po shqyrton shtimin e Türkiyes në turneun e tij të ardhshëm në Lindjen e Mesme, por citoi burime anonime që kanë thënë se nuk është marrë asnjë vendim dhe detajet janë duke u finalizuar.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë i ka thënë kanalit të lajmeve se Trump ka diskutuar vizitën gjatë një bisede telefonike të fundit me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan.
Trump është shprehur së fundmi pozitivisht për marrëdhënien e tij me Erdoğanin.
“Unë kam një marrëdhënie shumë, shumë të mirë me Türkiyen dhe me udhëheqësin e saj”, tha Trump në fillim të kësaj jave, duke folur pranë kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë.
Nëse vizita realizohet, ajo do të ishte udhëtimi i parë presidencial i Trumpit në Türkiye. Më parë, George W. Bush vizitoi vendin në vitin 2004, ndërsa Barack Obama bëri udhëtime në vend në vitet 2009 dhe 2015.








