Raporti i OKB-së: Regjimi sirian qëllimisht ka bombarduar një shkollë ku vrau 21 fëmijë

Një komision hetimor i OKB-së tha të martën se forcat qeveritare të Bashar Al Asad qëllimisht kanë bombarduar një kompleks shkollor në një fshat verior të vendit në muajin tetor, duke vrarë 21 fëmijë. Ky njoftim erdhi në kuadër të një raporti lidhur me krimet e kryera gjatë shtatë muajve të fundit të luftës në Siri.

Komisioni i OKB-së tha se forcat qeveritare dhe aleatët e tyre kanë treguar “mospërfillje të plotë për jetët e civilëve dhe të drejtën ndërkombëtare”, nëpërmjet përdorimit të vazhdueshëm të municioneve thërrmuese, armëve ndezëse dhe gazit të klorit, si armë të luftës.

Komisioni tha se sulmi i 26 tetorit në kompleksin e shkollës së fshatit Haas në krahinën Idlib përbën një krim lufte. Ai tha se forcat ajrore siriane janë i vetmi grup i identifikuar si përgjegjës për këtë sulm, i cili është raportuar gjerësisht edhe nga mediat.
Raporti i Komisionit të OKB-së gjithashtu arriti në përfundim se forcat qeveritare kishin në shënjestër infrastrukturën e kryeqytetit dhjetorin e kaluar, duke kërcënuar furnizimin me ujë për 5.5 milion njerëz. Ai tha se sulmi ishte i pajustifikuar, dhe përbënte krim lufte. Raporti nuk ka gjetur asnjë dëshmi se kryengritësit kishin helmuar furnizimin me ujë, siç pretendohej nga media shtetërore. /MESAZHI/