Shefi i Njësisë së EULEX-it për monitorimin e rasteve, ka deklaruar se trajtimi i rasteve të profilit të lartë s’ka shënuar ndonjë rezultat, duke theksuar se disa prej tyre rrezikojnë të parashkruhen.
Në prezantimin e Raportit të EULEX-it për monitorimin e drejtësisë, ai ka thënë të hënën se nga periudha shtator 2022 – maj 2024, 230 nga 821 seanca të monitoruara janë qenë joproduktive, derisa shtoi se ka ende seanca që mbahen “pa ndonjë përparim të duhur që shkaktojnë vonesa të panevojshme”.
“Sa i përket trajtimit të rasteve te profilit te lartë, shume prej tyre nuk kanë shënuar ndonjë rezultat dhe janë përballë Rrezikut për parashkrim. Gjykatat nuk caktojnë ndëshkime për këto raste. Kemi vërejtur një përdorim te tepruar të masës së paraburgimit, në mënyrë sistematike pa një arsyetim te duhur dhe shpesh vazhdohet në mënyrë sistematike. 61 persona mbahen të paraburgosur për më shume se 2 vite për dallim qe në 2022 ishin 37 persona”, është shprehur Eck Koster.
Sipas tij, progres është shënuar në çështjen e dënimit të krimeve të luftës e edhe në luftimin e dhunës në baza gjinore.
Ndërsa, shefi i Misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, ka thënë se raporti fokusohet në zbatimin e rekomandimeve të mëparshme, duke u theksuar fushat që është shënuar progres dhe në ato që s’ka pasur progres.
“Gjetjet e Raportit bazohen në monitorimin rigoroz të mbi 300 rasteve. Ne përgëzojmë institucionet e Kosovës për çiltërsinë dhe bashkëpunimin e tyre. Rruga drejt përafrimit në Bashkimin Evropian kërkon më shumë sesa reforma në drejtësi…”, ka shtuar ai, duke përmendur se reformat kërkojnë bashkëpunim dhe gjithëpërfshirje.
“Zotimi ynë për mbështetje është i palëkundur. Ky Raport është një thirrje për veprim. Kosova e ka mundësinë për t’u bërë anëtare e BE-së…”.
Ndërsa, shefi i shtyllës së monitorimit të EULEX-it, Giovanni Galzignato, ka thënë se raportet kanë vlerësuar aspekte specifike sa i përket funksionimit të të gjithë zinxhirit të drejtësisë.