Dokumentet dhe raportet e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), të cilat janë përgatitur gjatë viteve 80, janë bërë publike dhe lejohet qasja, tregojnë se Siria ka ofruar çdo lloj mbështetje për organizatën terroriste PKK, shkruan Anadolu Agency (AA).
Në raportet e CIA-s përmenden informacione shumë interesante në lidhje me organizatën terroriste PKK, e cila në mënyrë aktive shfaqet në fillim të viteve të 80-ta. Në këto dokumente, përveç strukturës ideologjike dhe organizative të PKK-së, jepen informacione edhe për disa shtete që i kanë ofruar mbështetje kësaj organizate.
Pasi lufta Iran-Irak kishte ardhur në pikën kritike, PKK nisi veprimtarinë aktive falë ndihmës së jashtme. Por, për mbijetesën e kësaj organizate terroriste ishin të nevojshme ndihma më të mëdha nga jashtë, dhe në mesin e vendeve që më së shumti kanë dhënë mbështetje për PKK-në është Siria.
“Siria ka mbështetur PKK-në, me qëllim për t’i bërë presion Turqisë lidhur me mosmarrëveshjet që kishte me këtë vend”, thuhet në raport.
CIA më 28 gusht 1985, kishte përgatitur një raport prej 12 faqesh rreth organizatës terroriste PKK. Aty shkruhet për historiatin e PKK-së, strukturën ideologjike të organizatës, qasja ndaj çështjes kurde, sulmet terroriste, si dhe “mbështetja e jashtme” ndaj organizatës. Disa informacione rreth vendeve që kanë mbështetur PKK-në kanë mbetur ende të “mbrojtura”.
Gjithashtu theksohet se PKK-ja gjatë kësaj periudhe ishte aktive në veri të Irakut dhe se ka bashkëpunuar me lëvizjen Hizb-I Islami, e cila ka mbështetjen e Iranit. Përveç mbështetjes së Sirisë, theksohet se sponsor indirekt i PKK-së ishte dhe Libia.
Në raportin e publikuar më 12 shkurt 1986, me titull “Kërcënimi sirian” flitet për marrëdhëniet midis Turqisë dhe Sirisë, dhe thuhet se dallimet politike mes dy vendeve në çdo kohë mund të marrin “dimensione serioze”.
“Sirianët haptazi ruajnë kundërshtarët e Turqisë dhe besojmë se Siria injoron aktivitete terroriste kundër Turqisë. Siria ofron mbështetje të madhe PKK-së edhe në rajonin e Irakut. Sa do që përpiqet qeveria siriane për të parandaluar kurdët e Irakut që të ndihmojnë elementet e PKK-së në Turqi, do të ketë probleme”, thuhet në raport.
Në një raport tjetër të CIA-s të lëshuar më 14 shkurt të vitit 1986 në mënyrë të detajuar janë përfshirë marrëdhëniet mes Turqisë dhe Sirisë, ku si çështje kryesore mes dy vendeve theksohen digat mbi lumin Eufrat dhe ndarja e ujit.
Në seksionin e titulluar “Shqetësimet në frontin verior”, flitet për lidhjen e Sirisë me organizatat terroriste.
“Edhe pse kemi numër të vogël të informacioneve për lidhjet e Sirisë me organizatat terroriste, mbështetja e Sirisë ndaj tyre është e dukshme dhe gjithnjë e në rritje. Damasku shpreson se mbështetjen ndaj organizatës terroriste do të përdorë si kartë të fortë në marëdheëniet kundër Turqisë”, thuhet në raportin e njëjtë.
Gjithashtu, në raportin e 7 majit 1987 CIA flet për mbështetje gjithnjë e më të madhe të Sirisë për terroristët e PKK-së, kurse në fjalinë hyrëse, në raport thuhet se “Siria që nga fillimi i viteve 1980 e mbështet PKK-në me anë të trajnimit ushtarak, armëve dhe parave”.