Sipas një analize nga instituti kërkimor Centre Delas në Barcelonë, qeveria spanjolle ka dhënë 46 kontrata me vlerë rreth 1.45 miliardë euro për kompani izraelite të mbrojtjes që nga tetori i vitit 2023, pavarësisht premtimit të kryeministrit Pedro Sánchez për të mos tregtuar armë me Izraelin.
Kontratat përfshijnë furnizime me raketahedhës dhe raketa, ndërsa dhjetë prej tyre ende nuk janë formalizuar.
“Është e qartë se qeveria gënjeu; nuk pati asnjë angazhim të vërtetë – ishte thjesht propagandë,” tha bashkautor i raportit, Eduardo Melero, për agjencinë AFP.
Raporti thekson se nëse do të ishte vendosur një embargo e plotë për armët, këto kontrata nuk do të ishin firmosur.
Kujtojmë se Spanja ndaloi këtë javë një marrëveshje prej 7.5 milionë dollarësh për blerjen e municioneve nga Izraeli, pas presionit nga aleatët e majtë në koalicionin qeverisës.


