Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj do ta padis gazetën serbe blic.rs, për shpifje, ndaj të cilës pret edhe dëmshpërblim.
Këtë e bëri të ditur, avokati i caktuar për këtë rast, Arianit Koci gjatë një interviste në RTV Dukagjini, ku tha se në ditët në vijim do të qëndroj në Beograd, për të mbledh fakte.
“Atë që e kam lexuar unë, me të vërtet unë jam habit me mos profesionalizmin e blic.rs për shkak të mënyrës naive që e parashkruajnë, që sipas tyre është bart arma nëpër Danub e kalon nëpër Serbi me kamionë të zallit. Unë mendoj që ky tekst më shumë e sulmon Serbinë se sa zotëri Haradinajn”, tha ai në InfoBox.
“Kjo hynë në kategorinë e shpifjeve dhe fryrjeve, dhe ashtu do ta trajtojmë. Do të kërkojmë kompensim dëmi. Kjo mund të shkoj si proces më i gjatë, sepse është situatë e ndjeshme, pasi që e dimë se zotëri Haradinaj nuk e ka ndonjë simpati të madhe në popullatë atje. Unë shpresoj në organe të drejtësisë profesionale në Serbi”, tha ai.
Lidhur me kërkesën për dëmshpërblim, Koci nuk dha ndonjë shifër, duke thënë se beson që ato mjete do të jepen për bamirësi, dhe rëndësi më shumë ka fitimi i rastit.
Madje, Koci thotë se një rast të tillë e ka trajtuar më herët dhe e ka fituar, por jo me shumën që ata e kanë kërkuar.