Ramazani pa Xhami dhe Teravi 2020

Pejgamberi i Zotit, Muhammed Mustafa, ka thënë se: “….me fillim të agjërimit prangoset shejtani…”. Por, ja që janë paraqitur shejtanë të ndryshëm që janë duke e bërë të paimagjinueshmen për njeriun dhe natyrën. Një ndër paradokset e kësaj kohe është se muslimanët rrallëherë janë “bashkuar”, e madje edhe kur janë bashkuar, janë shkatërruar. Si shembull për këtë kujtojeni fillimin e Ramazaneve dhe Bajrameve nuk munden të meren vesh e çka të thuash për hilafetin fetar, të cilin na e prishën dhe na e keqpërdorën, duke krijuar formacione të ndryshme që nuk përkojnë as me Kur’anin, as me Sunnetin, e as me shpirtrat e njerëzve.

Thashë paradoks…, po a nuk është paradoks t’i shihni të bindur të gjithë “udhëheqësit” fetarë, pra edhe ata muslimanë, të cilët 150 vjet nuk janë pajtuar për asgjë, e tash janë bashkuar me dëgjueshmëri dhe bindje të paparë?
As urdhrat për hilafetin fetar nuk kanë mundur t’i bashkojnë ata, kurse sot nga një “virus”, as fillimi e as mbarimi i të cilit nuk përkon me arsyen, hoxhallarët janë bashkuar deri në atë masë sa të spiunojnë se kush falet në xhami me 3-4 veta. Shyqyr Zotit që agjërimin nuk na e ndaluan. Personalisht jam duke iu lutur Zotit që ta pastrojë Islamin nga muslimanët e ta shpëtojë njerëzimin nga rreziku i “parasë dhe kapitalizmit te çmendur”.


Ju kisha lutur, edhe pse jeni dhe ndjeheni të dënuar dhe të nënçmuar, që kohën e iftarit ta shfrytëzoni në mënyrën më të mirë, së paku “dënojeni/ndalojeni” veten duke e fikur televizorin dhe kontaktin me “botën” vizuale. Lutjuni Zotit si të “çmendur” për shpëtim dhe udhëzim! Ebu Hurejra r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Kur hyn muaji i Ramazanit, hapen portat e qiellit dhe mbyllen portat e Xhehenemit si edhe lidhen shejtanët në pranga.” (Buhariu)

1 Ramazan 1441 / 24 prill 2020

Ismail Bardhi