Ballina Artikuj Ramazani, një ofertë hyjnore për femrën myslimane

Ramazani, një ofertë hyjnore për femrën myslimane

Adlie Morina-Krasniqi

Femra është themeli i shoqërisë dhe një pjesë e pandarë e saj. Ajo edukon individin, brezat dhe shoqërinë në tërësi.

Gruaja, kjo forcë e madhe kryen njëkohësisht rolin e vajzës, partneres, nënës, organizatores, menaxheres, disiplinueses në familje dhe është faktor i rëndësishëm në zhvillimin socio-ekonomik të shoqërisë. Fuqizimi i rolit të saj mund të përkufizohet në promovimin e ndjenjës së vetëvlerësimit të saj për t’i përcaktuar zgjedhjet dhe të drejtat e saj, si dhe për të ndikuar në ndryshimet shoqërore për veten, familjen dhe të tjerët.

Familja është faktori kryesor në edukimin e gruas, sepse familja ka një rol jetik në transmetimin e vlerave familjare dhe në formësimin e personalitetit të femrës. Zoti i Mëshirshëm, sikurse burrit, njashtu edhe gruas ua krijoi kushte dhe mundësitë për t’u zhvilluar dhe jetuar sa më mirë në jetën e kësaj bote. Për secilin prej tyre, në mënyrë të barabartë dhe pa anime, Ai ofroi tridhjetë ditë të veçanta për çdo vit. Kështu secili prej tyre, në stilin e vet, mund të rifreskojë dhe riformësojë aftësitë e tij, përkatësisht të saj, fizike dhe mendore për një jetë më të suksesshme.

Oferta hyjnore plot një muaj, pra muaji i bekuar Ramazan, për gruan është një dhuratë nga Krijuesi, që është si një lumë i pashteruar më dobi të panumërta që i ofron asaj mundësi të rregullojë marrëdhëniet me vetveten dhe rrethin me të cilin bashkëvepron.

Psikologët pranojnë përfitimet e agjërimit në aspektin fizik, fiziologjik dhe psikik. Agjërimi ka ndikim të drejtpërdrejtë në psikikën e gruas që agjëron dhe është aktive në kryerjen e veprave të mira gjatë gjithë muajit Ramazan.

Gjatë muajit të bekuar Ramazan, femra myslimane mund të përfitojë nga disa aspekte psikologjike si:

Disiplina dhe vetëkontrolli – Duke qenë se Ramazani kërkon ndalimin e ushqimit dhe pijeve gjatë ditës, gruaja nxitë veten për ta përmbushur këtë detyrë religjioze me shpresën e arritjes së shpërblimit. Kjo i ndihmon asaj të zhvillojë dhe të ruajë vetëkontrollin. Uria është elementi i parë i vetëdisiplinës. “Nëse mund të kontrolloni atë që hani dhe pini, mund të kontrolloni gjithçka tjetër.” (Dr. Umar Faruk Abd-Allah)

Pra, studime të ndryshme psikologjike pohojnë se aftësitë e një kontrollimi sa më të mirë të gjërave në jetën e njeriut, burojnë nga nisma e nevojave bazë fiziologjike, ushqimi dhe pija, andaj kush mban kontrollim mbi to, mund të arrijë kontrollin mbi çdo gjë tjetër. Agjërimi mund të sigurojë një riformim të trupit dhe mendjes, duke çuar në një mirëqenie të përgjithshme më të mirë. Ai është mësuesi ynë më i mire që na bënë të kuptojmë se ne nuk jetojmë për të ngrënë dhe për të pirë, por ne ushqehemi për të jetuar.

Reflektimi dhe rilindja personale – Ramazani ofron hapësirë për reflektim personal, rilindje shpirtërore, rritje të ndjenjës së mëshirës ndaj të tjerëve dhe falje. Të gjitha këto aspekte pozitive të Ramazanit mund të ndikojnë në mirëqenien psikologjike dhe emocionale të gruas myslimane, duke i dhënë asaj energji dhe harmoni të brendshme si dhe kujdes për veten.

Duke pasur parasysh se shëndeti mendor nënkupton që të jemi vigjilente, të shkathëta, të pastra dhe energjike nga pikëpamja psikike, nuk mund të gjejmë periudhë më të përshtatshme për t’i gërshetuar në mënyrë më të mirë të gjithë këta përbërës, se sa në muajin Ramazan, e veçanërisht gjatë adhurimeve të natës, dhikrit dhe namazit.

Akoma mbaj mend fare qartë, profesorin e mirënjohur të psikologjisë, dr. Pajazit Nushin, ndjesë pastë, gjatë kohës së studimeve teksa thoshte në amfiteatrin e madh të universitetit: “Ramazani për psikikën e njeriut është një operacion pa brisk.” “Në radhë të parë ai mbron njeriun nga egoizmi i theksuar, madje nga megalomania (mendjemadhësia), si dhe disa forma ekstreme të personalitetit që mund të mënjanohen përmes agjërimit,” sqaronte atëbotë profesor Nushi. (Gazeta Online)

Le të mos të harrojmë se agjërimi përforcon vullnetin e femrës, duke e ditur se ajo për nga natyra është me më shumë emocione, dëshira, dashuri, vullnet, guxim e kurajë. Pra ky përforcim e bënë atë më të vendosur, që nënkupton se agjërimi jep një kontribut të jashtëzakonshëm në formësimin dhe brumosjen e personalitetit të femrës.

Forcimi i ndjenjës së empatisë (ndjesh- mërisë) – Pjesëmarrja në iftare dhe falje e namazeve kolektive në xhami mund të forcojnë ndjenjën e empatisë dhe bashkëjetesës midis grave myslimane. Në përgjithësi, agjëruesve u rriten ndjenjat e empatisë ndaj shtresave me nevoja socio-ekonomike, sepse ata e përjetojnë një gjendje të ngjashme nga vetë brenda vetes.

Përgatitja e iftarit dhe syfyrit – Kujdesi i tyre për ushqimin e shëndetshëm dhe atmosferën e ngrohtë në familje rritë harmoninë dhe përjetimin e tyre shpirtëror. Duhet theksuar se shumica e hulumtimeve të realizuara në lidhje me dobitë psikologjike të aktiviteteve sociale të përbashkëta theksojnë se edhe iftaret dhe syfyret e përbashkëta radhitën në mesin e përforcuesve të unitetit dhe afërsisë familjare. Një gjë e këtillë, së paku një muaj në vit, largon njeriun nga të qenit ‘ego centrik’ (në qendër të vëmendjes). Kështu së paku gjatë këtij muaji njeriu kupton edhe nevojat, kërkesat dhe synimet e të tjerëve si diçka me të cilën duhet mësuar dhe jetuar.

Bamirësia dhe solidariteti Shumë gra organizojnë ndihma për të varfrit, përgatisin ushqime për nevojtarët dhe angazhohen në vepra të mira. Në të gjitha dëshmitë psikologjike hasim rezultate befasuese se njerëzit, të cilët në mënyrë vullnetare ofrojnë diçka që të tjerët i bënë të lumtur, përjetojnë ndjenja lumturie më të mëdha për vete sesa lumturia e atyre që u kanë ndihmuar.

Angazhimi në aktivitete fetare – Disa gra ndihmojnë në organizimin e mësimeve fetare, ligjëratave apo leximit të Kuranit në xhami apo në grupet e grave. Intensifikimi i leximit për një muaj pandërprerë është një ‘infu- zion’ i jashtëzakonshëm dhe rimëkëmbje e shëndetit mendor. Kjo ndikon dukshëm në rritjen e përqendrimit të vëmendjes, në stabilitetin emocional dhe në parandalimin e sëmundjeve apo çrregullimeve mendore. Nëse leximi kryhet gjatë agjërimit, atëherë, ai është edhe më efikas. Kjo për shkak se agjërimi kthjellon mendjen, aftëson shqisat dhe përforcon memorien. Një lukth i zbrazur, gjakun të cilin do të duhej ta harxhonte për tretje e dërgon në tru, kështu truri pranon më shumë gjak dhe energji. Si rezultat i këtij procesi organik rritet përqendrimi dhe aftësia e të menduarit.

Mbështetja emocionale dhe shpirtërore e të tjerëve – Gratë shpesh ofrojnë këshilla dhe ndihmë për familjarët, komunitetin dhe njerëzit në nevojë. Është e vërtetuar se gratë ndjehen më të lehtësuara dhe me më pak probleme madje vetëm kur gjejnë një vesh’ që i dëgjon. Andaj është një veprim shumë i qëlluar, dhe rekomandohet më të madhe, që gratë ta mbështesin njëra-tjetrën. Gjatë gjithë kohës sa ato shkëmbejnë biseda në mes vete, kjo është në favor të gjithë atyre. Sidomos nëse bisedat që janë zhvilluar, janë bërë në mirëbesim dhe fshehtësi (konfidencë) të plotë, atëherë janë ato biseda janë të dobishme për të dyja palët.

Menaxhimi i zemërimit (kontrollimi i inatit) – Në jetën e përditshme gjithmonë thuhet se meshkujt janë më agresivë sesa femrat. Kjo nga njëherë na bënë të mendojmë se ndoshta ata inatosen më shumë dhe mbajnë mëri/inat. Sipas një studimi të kryer nga Universiteti Shtetëror i Misurit Jugperëndimor, ky nuk duket të jetë realiteti. Në këtë hulumtim të 200 meshkujve dhe femrave, rezultatet tregojnë se femrat inatosen shumë më shpesh dhe në mënyrë më intensive sesa meshkujt.” Zemërimi duket të jetë një ndjenjë e fuqishme dhe pjesë përbërëse e natyrës se femrës. Zemërimi në veten e tij nuk është një gjë e keqe, por, nëse ai shprehet në mënyrë jo të shëndetshme, atëherë bëhet problem për shëndetin mendor. Zemërimi mund të shfaqet edhe ndaj vetvetes në situata të caktuara, por edhe ndaj tjerëve… (Ferjad Husejn – “Menaxhimi i emocioneve”).

Agjërimi është një trajner shumë i mirë që i ndihmon femrën ta mbaj veten nën kontroll. Përgjatë tridhjetë ditëve të Ramazanit, femra myslimane ushtrohet të mësoj t’i shprehë pakënaqësitë e saj nëpërmjet komunikimit të qetë dhe pa e humbur durimin. Pikërisht këtë na ka mësuar Profeti Muhamed a.s., kur thoshte: “Kur dikush nga ju agjëron, le të mos fyej, e të mos bërtas, e nëse dikush e ofendon apo fyen, atëherë le t’i thotë: “Unë jam njeri që agjëroj.” (Buhariu dhe Muslim).

Edukimi i fëmijëve me vlerat e Ramazanit – Gratë ndihmojnë në formimin e fëmijëve me moral të lartë, duke i mësuar ata mbi vlerat e sakrificës, si dhe duke i motivuar edhe fëmijët të agjërojnë, gjë që kontribuon që ata të mësojnë vlerat e durimit, faljes dhe bujarisë.

Fisnikërimi shpirtëror përmes agjërimit dhe lutjeve – Gratë përkushtohen në namazin e natës (teravitë), leximin e Kuranit dhe duatë për veten dhe familjen. Ramazani është kohë për të ushtruar durimin, faljen dhe lirimin e shpirtit nga emocionet negative. Kur jemi të lutja dhe të Nata e Kadrit, a ka ofertë më të mirë për lirimin e emocioneve negative dhe hedhjen e toksinave përjashta sesa kjo. Përmes shpresës për falje, mendja jonë çlirohet e bashkë me të rritet edhe motivi dhe kuraja për të vazhduar veprat e mira.

Vetë shpresa në arritjen e shpërblimit të Natës së Kadrit përmirëson ndjenjën e vetësoditjes, pendimit dhe kërkim-faljes.

Mos të harrojmë dobitë e këtij muaji edhe në aspektet e çrregullimeve dhe sëmundjeve psikologjike, se si ndikon ai për rifreskimin dhe shërimin e shumë problemeve të spektrit psikologjik. Andaj edhe psikoterapia më e duhur për të cilën ne flasim ka të bëjë me performimin e saj në lidhje me çrregullimet në sjelljet e njerëzve, kryesisht te gjinia femërore, ku efekti i agjërimit si terapi e përshtatshme do ishte më e qëlluar sipër çrregullimeve të sjelljeve.

Për fund, Ramazani është një ofertë hyjnore për femrën myslimane, duke i mundësuar asaj të zhvillojë vullnetin, disiplinën dhe shpirtin dhe duke e shëruar dhe rikthyer në funksion sa me të mirë të shumë funksioneve mentale. Ky muaj shërben si një rrugë për zhvillimin e personalitetit dhe përgatitjen e saj për rolin kyç në familje dhe shoqëri, duke formuar breza me vlera të larta morale dhe duke kontribuuar në krijimin e një shoqërie të drejtë, të mirë dhe solidare.

Referencat:

Dean Burnett, Truri idiot, (Prishtinë: Shtëpia Botuese Pema, 2023),13-162.

Nevsat Tarhan, Psikologjia e Lumturisë, (Gjilan: Shtëpia Botuese Efekos, 2018), 55-57.

Kruse J. Hyrje në Psikoterapi të thellë psikologjike si pjesë e javëve të psikoterapisë Lindau, bazuar në Gerd Rudolf, 2006: Psikoterapia Strukturore, Stuttgart: Scattauer. https://www.theguardian.com/lifeandstyle/2019/may/12/ science-of-anger-gender- agepersonality

___________________________

1 https://www.theguardian.com/lifeandstyle/2019/ may/12/science-of-anger-gender-age-personality

Dituria Islame 412

Exit mobile version