Ramazani na e mëson praktikisht ndjesinë se e mbikëqyrjes së Allahut të Madhëruar!
Mbikëqyrja e Allahut në Islam është një nga parimet themelore të besimit dhe devotshmërisë.
Ajo do të thotë që Allahu gjithmonë sheh dhe din për çdo gjë që ndodh në univers, përfshirë mendimet, fjalët dhe veprimet e njerëzve.
Ky koncept quhet “Murakabah”, që do të thotë të jesh i vetëdijshëm se Allahu të sheh në çdo moment.
Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an:
“Me të vërtetë, Allahu është Mbikëqyrës mbi ju.” (En-Nisa: 1)
Po ashtu thotë:
“Ai e di çka hyn në tokë dhe çka del prej saj, çka zbret nga qielli dhe çka ngjitet në të, dhe Ai është me ju kudo që të jeni.” (El-Hadid: 4).
Muhamedi alejhi selam tha:
“Ihsan do të thotë ta adhurosh Allahun sikur e sheh Atë, dhe pse nuk mund ta shohësh, ti e din se Ai të sheh ty.”
( Muslimi )
Agjërimi dhe shtimi i ndjesisë së mbikqyrjes së Allahut të Madhëruar
Ramazani është muaji i devotshmërisë dhe vetëdijes së thellë për mbikëqyrjen e Allahut.
Agjërimi nuk është vetëm përmbajtje nga ushqimi dhe pijet, por edhe një praktikë e vetëdisiplinës dhe afrimit me Zotin.
Kur një person agjëron, ai e di se vetëm Allahu është dëshmitar i vërtetë i veprimeve të tij, edhe kur askush tjetër nuk e sheh.
Kjo rritë ndjenjën e ihsanit (adhurimit sikur e sheh Allahun ose të paktën të jesh i vetëdijshëm se Ai të sheh ty).
Ky muaj na mëson të përforcojmë lidhjen tonë me Allahun, të ruajmë gjuhën, shikimin dhe veprimet tona, dhe të kemi frikë e dashuri për Të në çdo çast.
Si të jetojmë me ndjenjën e mbikëqyrjes së Allahut ?!
• Të shmangim mëkatet:
Kur e dimë se Allahu na sheh, largohemi nga veprat e këqija edhe kur jemi vetëm.
• Të jemi të sinqertë:
Veprimet tona duhet të jenë për hirë të Allahut, jo për syfaqësi.
• Të kemi durim dhe këmbëngulje:
Kur përballemi me sprova, e kujtojmë se Allahu është i Vetëdijshëm për gjendjen tonë dhe do të na shpërblejë.
Përfitimet e ndërgjegjësimit për mbikëqyrjen e Allahut
• Forcon devotshmërinë dhe moralin
• Rritë përgjegjësinë ndaj veprimeve tona
• Na mbush me qetësi dhe besim, sepse e dijmë që Allahu është gjithmonë me ne.
Hoxhë Sadik Avdiu