Ballina Artikuj Ramazani dhe fisnikërimi i shpirtit

Ramazani dhe fisnikërimi i shpirtit

Dr. Zenel Hajdini

Ramazani ishte një udhëtim shpirtëror, një shkollë për zemrat tona. Gjatë këtij muaji, u shkëputëm nga e zakonshmja, nga përditshmëria jonë e mbushur me shqetësime materiale, dhe u ngjitëm në një dimension tjetër – atë të devotshmërisë dhe afrimit me Allahun. Përmes urisë dhe etjes, ndjemë se trupi ynë ka nevoja, por shpirti kishte një etje edhe më të madhe – për përmendjen e Allahut, për Kuranin, për lutjen, për rilidhjen me të Plotëfuqishmin!

Në jetën e përditshme, njeriu shpesh është i zhytur në çështjet e kësaj bote – në punë, pasuri, ambicie – dhe harron atë që është më e rëndësishmja: gjendjen e shpirtit të tij. Por erdhi Ramazani dhe na kujtoi se nuk jemi vetëm trupa që hanë dhe pijnë, por edhe shpirtëra që kërkojnë dritë dhe paqe, falje dhe mëshirë.

Ramazani nuk ishte vetëm një periudhë privimi nga ushqimi e pija, por një shkollë për të fisnikëruar shpirtin, për të na edukuar me devotshmëri dhe për të na rikujtuar se kjo jetë është kalimtare.

Ky ishte edhe mesazhi i Pejgamberit a.s., i cili na mësoi se agjërimi nuk është thjesht përmbajtje nga të ngrënët dhe të pirët, por mbi të gjitha përmbajtje nga gjynahet, pastrim dhe ngritje shpirtërore.

Kështu e kishin kuptuar edhe shokët e Pejgamberit a.s. Omeri r.a., pasi kalonte Ramazanin me ibadet dhe lutje, e pyeste veten: “A është pranuar agjërimi im? A e kam arritur kënaqësinë e Allahut?” Ndërsa Abdullah ibn Mesudi r.a., pas përfundimit të Ramazanit, qante dhe thoshte: “Sikur ta dija se vetëm një lutje më është pranuar gjatë këtij muaji, do të më mjaftonte!”

Kjo tregon se ata e shihnin Ramazanin si një mundësi të çmuar për pastrimin e shpirtit dhe afrimin me Allahun e Madhërishëm.

Njeriu ka vetëm një mundësi në këtë botë: ta njohë Krijuesin e tij dhe të lidhet me Të. Prandaj, Allahu na e dha Ramazanin, që të kuptojmë se liria e vërtetë fitohet vetëm kur jemi të lidhur me Krijuesin tonë. Nëse robërohemi nga dëshirat dhe materializmi, atëherë humbim thesarin më të çmuar – pastërtinë dhe fisnikërinë e shpirtit.

Lidhja me Allahun ndërtohet përmes adhurimit të vazhdueshëm: me namaz, me leximin e Kuranit, me përmendjen e Emrit të Tij, me sadakatë, me ndihmën ndaj të tjerëve… sepse kështu na porositi Allahu:

“Dhe adhuroje Zotin tënd deri të të vijë vdekja.”

Ramazani ishte edhe muaji që na mësoi të ruajmë moralin tonë. Na mësoi të jemi më të butë në sjellje, më falës në zemër, më të kujdesshëm në fjalë dhe në veprime. Kjo gjendje shpirtërore, kjo sjellje e mirë ndaj të tjerëve, nuk duhet të përfundojë me muajin. Sepse në fund, nuk janë vitet që kemi jetuar ato që do të na përmenden, por veprat që kemi bërë.

Ramazani është një dhuratë hyjnore, një mundësi për ngritje shpirtërore. Por kjo ngritje nuk duhet të mbetet e përkohshme, për të rënë sërish në zakonet e vjetra. Kjo është mënyra jonë e jetesës. Nëse përpiqemi të ruajmë adhurimin, moralin dhe lidhjen tonë me Allahun, atëherë frytet e Ramazanit do të na shoqërojnë gjatë gjithë vitit.

Allahu na sjell në Kuran shembullin e një plake që e kalonte ditën duke tjerrë, por në fund, e shkatërronte punën e saj me duart e veta:

“Dhe mos u bëni si ajo grua që i shprishi fijet e endura me mund, pasi i kishte tjerrë mirë.”
(Suretu En-Nahl, 92)

Ky është një paralajmërim për ata që, pas përpjekjeve të mëdha dhe veprave të mira, i prishin ato me veprime të gabuara. Ky është një kujtim i fuqishëm: çdo përpjekje duhet ruajtur, çdo ngritje shpirtërore duhet kultivuar.

Mos t’i lejojmë vetes që të gjitha ato sevape dhe shpërblime që kemi grumbulluar gjatë Ramazanit, t’i humbim pas tij përmes fjalëve, sjelljeve apo veprimeve të pamenduara.

Le ta bëjmë Ramazanin një pikënisje të qëndrueshme drejt një jete më të afërt me Allahun, më të pastër në moral dhe më të pasur në vepra të mira.

E lusim Allahun që të na bëjë prej atyre që kanë arritur shpëtimin në këtë muaj, që janë pastruar nga ligësitë dhe janë ngritur në shkallë më të larta tek Ai.
Amin, o Zoti ynë, pranona agjërimin, adhurimin dhe pendimin tonë, dhe na bën të qëndrueshëm në rrugën Tënde gjatë gjithë vitit!

Dr. Zenel Hajdini

Exit mobile version