Për gati 2 miliardë myslimanë këtë javë ka nisur muaji i Ramazanit. Por për myslimanët në Gazë, ky Ramazan dallon shumë nga të kaluarit. Ata janë të detyruar të hanë në tenda e nën zhurmën e raketave
Në kushte normale, Randa Baker do ta dekoronte shtëpinë dhe do të përgatiste ushqim të shijshëm për fëmijët e saj, për muajin e Ramazanit.
Mirëpo, në atmosferë të zymtë, 33-vjeçarja dhe familja e saj për iftar hanë në tokë, në një tendë refugjatësh në Gazën jugore. Jeta e tyre është shkatërruar nga sulmet izraelite. Që nga vrasja e bashkëshortit, Randa, tre fëmijët e saj dhe nëna janë larguar nga shtëpia dhe jetojnë në jug të Gazës në tendat përplot palestinezë që kanë ikur nga shtëpitë. Në sofër mungonte edhe djali 12-vjeçar, Amiri që ishte sëmurë.
“Na mungojnë shumë gjëra. Së pari, ushqimi dhe pijet. Çmimet po rriten. Na mungojnë të dashurit tanë, burri im. Ai nuk është ulur me ne në tryezën e ushqimit. Sot, sigurisht që do të hamë, siç e patë, të gjitha ushqimet e konservuara. Tani po hamë ushqim të konservuar, hamë ushqim të konservuar në mëngjes, hamë ushqim të konservuar në dreka. Është e vështirë për ne”, ka thënë ajo për AP-në.
Për myslimanët, muaji i Ramazanit është kombinim i vetëmohimit, reflektimit fetar dhe ndihmës për të varfrit. Njerëzit agjërojnë nga lindja e diellit e deri në perëndim. Por për këta refugjatë Ramazani tani s’ka asnjë kuptim.
“Për mua, Ramazani tani nuk do të thotë asgjë. Absolutisht asgjë. Edhe Bajrami që po vjen, do të jetë më i keqi dhe më i errëti. A nuk duhet të jetë Ramazani i bekuar? Fatkeqësisht, ne nuk po jetojmë jetën e Ramazanit; ne po bëjmë një jetë lufte, po na marrin fëmijët, rininë, të moshuarit dhe gratë, çfarë faji kemi ne, çfarë kemi bërë, pse fëmijët tanë të mbeten jetim, me mall për fjalën baba?”, ka thënë ajo.
Rreth 80 për qind e 2.3 milionë banorëve të Gazës janë zhvendosur për shkak të luftës që nisi më 7 tetor. Që nga sulmet e Hamasit, Izraeli është hakmarrë duke vrarë mbi 31 mijë palestinezë, sipas autoriteteve në Gaza. /koha