Kam qenë në klasën e tetë dhe si kujdestar klase duhej të shkoja bashkë me mësuesen kujdestare, kryetarin e klasës dhe disa nxënës të tjerë, tek një shoqja jonë për vizitë, pasi ishte shëruar pas një sëmundje.
Hymë brenda, përshëndetëm familjarët dhe shoqen tonë dhe u ulëm. Menjëherë nëna e shoqes filloi të na qerasë. Të gjithë morën karamalet e ëmbëlsirat, përveç meje.
“Po ti Elmaz pse si merr?” pyet zysha kujdestare, Nafija.
Unë u bëra flakë në fytyrë dhe s’dija ç’të them.
“O zysh ai agjëron” tha njëri nga nxënësit e klasës.
“Agjëron?!” ngriti ajo zërin, shoqëruar me një vështrim kritik, por duke parë frikën tek unë, buzëqeshi dhe ndërroi bisedë.
Unë kam agjëruar që 12 vjeç dhe sot, nuk di çfarë përgjigje të jap se çfarë e shtyn një fëmijë në atë moshë të agjërojë, aq më tepër në komunizëm, ku ndalohej feja dhe çdo rit dhe ty të duhej të durosh përveç urisë dhe etjes, edhe frikën e presionin e jashtëm.
Prof. Elmaz Fida