Ballina Artikuj Ramazan lamtumirë, e ne do vazhdojmë të jemi të mirë! – Mesazhe...

Ramazan lamtumirë, e ne do vazhdojmë të jemi të mirë! – Mesazhe Ramazani

Hoxhë Sadik Avdiu

Përmbyllja e Ramazanit është një moment i mbushur me emocione të dyfishta. Gëzim për plotësimin e muajit me adhurime, po edhe mërzi nga ndarja e këtij musafiri të veçantë.

Pas një muaji plot përkushtim, sakrificë dhe lutje, zemra e besimtarit ndihet e mbushur me paqe dhe mirënjohje. Agjërimi nuk ka qenë vetëm privim nga ushqimi e pijet, por një udhëtim shpirtëror, po ashtu një mundësi për t’u afruar me Zotin, për të pastruar shpirtin dhe për të ndjerë dhimbjen e atyre që kanë më pak.

Tani, me afrimin e Fitër Bajramit, në sytë e njerëzve shkëlqen gëzimi.

Është koha për të ndarë dashurinë me familjen, për të përqafuar më të dashurit dhe për të falur e dhuruar me zemër të pastër.

Është një moment për të falënderuar Zotin për forcën e dhënë dhe për të premtuar që drita e këtij muaji të mos shuhet brenda nesh, por të vazhdojë të ndriçojë çdo ditë të jetës sonë.

Le të jetë ky fund Ramazani jo një mbyllje e adhurimeve, por një fillim i ri.

Një rrugë drejt mëshirës, devotshmërisë, afërsisë me Zotin dhe me njëri tjetrin !

“Zoti ynë, pranoje prej nesh, se me të vërtetë Ti je që dëgjon dhe di”!

El Bekare: 127

Hoxhë Sadik Avdiu

Exit mobile version