Përmbyllja e Ramazanit është një moment i mbushur me emocione të dyfishta. Gëzim për plotësimin e muajit me adhurime, po edhe mërzi nga ndarja e këtij musafiri të veçantë.
Pas një muaji plot përkushtim, sakrificë dhe lutje, zemra e besimtarit ndihet e mbushur me paqe dhe mirënjohje. Agjërimi nuk ka qenë vetëm privim nga ushqimi e pijet, por një udhëtim shpirtëror, po ashtu një mundësi për t’u afruar me Zotin, për të pastruar shpirtin dhe për të ndjerë dhimbjen e atyre që kanë më pak.
Tani, me afrimin e Fitër Bajramit, në sytë e njerëzve shkëlqen gëzimi.
Është koha për të ndarë dashurinë me familjen, për të përqafuar më të dashurit dhe për të falur e dhuruar me zemër të pastër.
Është një moment për të falënderuar Zotin për forcën e dhënë dhe për të premtuar që drita e këtij muaji të mos shuhet brenda nesh, por të vazhdojë të ndriçojë çdo ditë të jetës sonë.
Le të jetë ky fund Ramazani jo një mbyllje e adhurimeve, por një fillim i ri.
Një rrugë drejt mëshirës, devotshmërisë, afërsisë me Zotin dhe me njëri tjetrin !
“Zoti ynë, pranoje prej nesh, se me të vërtetë Ti je që dëgjon dhe di”!
El Bekare: 127
Hoxhë Sadik Avdiu