Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në konferencën e fundvitit me gazetarë bëri të ditur se shteti shqiptar do t’i hapë dyert për Samitin e Komunitetit Politik Europian në maj të 2025-ës dhe samitin e NATO-s në vitin 2027.
Rama deklaroi se Shqipëria është sot një vend që respektohet dhe vlerësohet nga ndërkombëtarët dhe se ky fakt shikohet edhe në pritjen në Tiranë të samitit të Komunitetit Politik Europian më 16 maj 2025 dhe samitin e NATO-s në vitin 2027.
“Janë organizuar në Shqipëri një sërë samitesh të pamendueshme disa vite më parë dhe vitin e ardhshëm më 16 maj do të presim samitin e Komunitetit Politik Europian ku do t’i kemi udhëheqësit e Europës përtej kufijve të BE-së. Shqipëria është sot një vend ku të gjithë shohim me sytë e respektit dhe të gjithë kanë vlerësime që na bëjnë krenar dhe motivim për të vazhduar më tutje”, theksoi ai.
Kreu i Ekzekutivit nënvizoi se “akoma më e pakëndueshme është mikpritja në Tiranë e samitit të NATO-s në 2027-ën” gjë për të cilën tha ai, kanë nisur punën së bashku me Aleancën.
Kryeministri njoftoi gjatë konferencës se në Samitin e NATO-s në kryeqytetin shqiptar do të jetë i pranishëm edhe presidenti i ShBA-së, Donald Trump.
Rama theksoi se “kemi filluar punën me NATO-n, një mision inspektimi i logjistikës ka ardhur në Tiranë, ka bërë vlerësime që do të ishin të pamenduara në Tiranë përpara sesa qeveria në aleancë me Bashkinë e Tiranës të ndërtonte gjithçka ka ndërtuar në këtë dekadë”.
“Ardhja e Presidentit të ShBA-së dhe të gjithë udhëheqësve të NATO-s në Tiranë është një mesazh i qartë për të gjithë lidhur me Shqipërinë, lidhur me pozicionin tonë të ri politik në arenën ndërkombëtare. Ne jemi një vend i vogël. Kemi një peshe modeste, por sot trajtohemi si të barabartë dhe me një respekt që asnjëherë nuk e kemi pasur në historinë tonë”, deklaroi Rama.
Po ashtu, Rama u ndal edhe tek një zhvillim lidhur me arsimin në nivel ndërkombëtar duke theksuar se në një garë me disa vende, Shqipëria fitoi mundësinë shumë domethënëse të hapjes së Kolegjit të Europës në Tiranë.
“Është filiali i dytë i Kolegjit të Europës i cili historikisht e ka qendrën e vet në Bruzh, të Belgjikës, pas filialit të parë që u hap në Natalinë të Polonisë dhe hapet në Tiranë si një sinjal kuptimplotë dhe vlerësim domethënës”, u shpreh ai.
Rama e cilësoi sinjal kuptimplotë për pozicionin sot krejt të ri të Shqipërisë në hartën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe me BE-në.