Koalicioni qeverisës ka zyrtarizuar sot ndryshimet në qeveri, ku janë publikuar emrat e 4 ministrave të rinj, raporton Anadolu Agency (AA).
Për postin e ministrit të Brendshëm, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama propozoi Fatmir Xhafajn, aktualisht kryetar i Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, në postin e ministres së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë propozohet Olta Xhaçka, deputete e PS-së, në postin e ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, dhe në postin e ministrit të Pushtetit Vendor propozohet Eduard Shalsi, kryetar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese në Kuvendin e Shqipërisë.
Ndërsa nga ana tjetër opozita vazhdon protestën e filluar më 18 shkurt, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, përpara selisë së Këshillit të Ministrave.
Kreu i opozitës, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, gjatë fjalimit të mbajtur sot në çadrën ku qëndrojnë protestuesit ka përsëritur kërkesën e tij për krijimin e qeverisë teknike.
“Ndaj u mblodhën më 18 shkurt në bashkimin më të madh popullor, në lëvizjen më të madhe, për të marrë një vendim të madh, një vendim të rëndësishëm. Vendimin për të mos u larguar nga ky shesh, derisa të garantojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike, që do të thotë domosdoshmërisht, dhe pa asnjë kusht, largimin e Edi Ramës si kryeministër i qeverisë shqiptare”, u shpreh Basha.
Kujtojmë se dje kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë komunikimit të tij javor në rrjetin social Facebook ka konfirmuar ndryshimet në qeveri, ndërsa emrat e propozuar do ti dërgohen presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, për dekretim.