Ballina Lajmet Shqipëri Rama – profesorëve: Ju jeni bishti i fundit i kavallit!

Rama – profesorëve: Ju jeni bishti i fundit i kavallit!

Në takimin me senatin e Universitetit të Tiranës, Kryeministri Edi Rama u kujtoi pedagogëve të këtij universiteti vlerësimin e marrë nga akreditimi vitin e kaluar.

“Ju jeni bishti i fundit i kavallit të universiteteve të Shqipërisë ”, tha ndër të tjera Rama.

Dekani i Fakultetit Juridik, Artan Hoxha i ktheu përgjigje.

“Ne kemi qenë lider dhe vazhdojmë të jemi lider pavarësisht ndonjë vlerësimi që na kanë bërë. Ai akreditim është institucional dhe administrativ, që ka të bëjë me diçka që është formale. Akreditimi akademik, që është thelbi i asaj që ofron institucioni i arsimit të lartë është tjetër gjë”, deklaroi ai.

Kryeministri ironizoi me pedagogët vonësen e pagave duke përmendur “bukën e gojës” para se t’i jepte fjalën rektorit Mynyr Koni. Ky i fundit mohoi të ketë thënë se po “u hiqet buka e gojës pedagogëve”.

“Unë nuk kam përmendur në asnjë rast bukën e gojës, dikush tjetër i ka vënë këto fjalë. Ju falenderoj që jeni këtu së bashku me ministren”, u shpreh ai.

Mes shqetësimeve të ngritura nga Rektori ishte edhe ai i përplasjeve me Administratorin dhe Bordin e Administrimit të Universitetit.

“Nga bordi jemi që në janar të 2017 në një situatë bllokuese nga administratori me suportin e Bordit të Administrimit, U jam drejtuar për t’u plotësuar kërkesat, asnjëherë nuk ka ndodhur. Pas vitit të ri është bllokuar në mënyrë të njëanshme, madje duke ndërruar edhe bravën e njërës prej Drejtorive të Burimeve Njerëzore”, tha ai.

“Të vijmë këtu dhe të flasim për brava para Kryeministrit dhe ministrit të Arsimit nuk është në nivelin tonë. Flasim me terma autonomie dhe sillemi me terma autoritare”, komentoi dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha.

Exit mobile version