Në kuadër të projektit “Frymëmarrje për të ardhmen”, ndërmarrë nën kujdesin e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Kosovë është organizuar aktiviteti i dhurimit nga Turqia të fidanëve frutorë, ku një pjesë e tyre janë mbjellë edhe gjatë ceremonisë në këto vende ku përshëndeti me video-lidhje edhe presidenti turk, raporton Anadolu Agency (AA).
Në Shqipëri në ceremoninë e organizuar në Liqenin e Farkës në Qarkun e Tiranës ishin të pranishëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i Shqipërisë, Bledi Çuçi, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, koordinatorja e Agjencisë Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA) në Tiranë, Dr. Emine Gizem Başkan dhe zyrtarë të tjerë.
Presidenti turk në lidhjen e drejtpërdrejtë në ceremoninë e dhurimit është shprehur se pemët sot në Shqipëri mbjellen si shenjë e miqësisë midis Turqisë dhe Shqipërisë.
“Përshëndes mikun tim Edi Rama. Shpresojmë që këto pemë që mbjellen sot në Shqipëri si shenjë e miqësisë sonë të qëndrojnë dhjetëra, qindra vite”, tha presidenti Erdoğan.
Kryeministri Rama në fjalën e tij në aktivitet tha se ky është edicioni i dytë i një festivali ndërkombëtar, organizuar nën kujdesin e presidentit Erdoğan.
“Në edicionin e parë në shumë vende të botës në të njëjtën orë janë mbjellë 11 milionë pemë, çka siç kam mësuar ka hyrë dhe në librin Guinness të rekordeve. Sot në Tiranë jemi së bashku në të njëjtën orë me një numër të konsiderueshëm vendesh të tjera për të mbjellë këtu në Liqenin e Farkës 1.000 pemë në një proces ku Tirana ka qenë në vijën e parë me një ndërprerje të vogël ndërmjet dy fazave, gjatë kohës që unë isha kryetar bashkie dhe që kur Erioni ka marrë bashkinë në funksion të shumicës”, theksoi Rama.
Më tej, kryeministri Rama theksoi se në muajin dhjetor Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural së bashku me ministrinë homologe në Republikën e Turqisë do të ulen së bashku për të diskutuar një plan të përbashkët, ku ndër dimensionet e tjera, siç tha ai, është edhe “dimensioni i gjelbër lidhur me pyjet, për të cilat Turqia është një nga shembujt më domethënës sot në botë dhe ka një ekspertizë të jashtëzakonshme që bujarisht do të na e përcjellë edhe neve”.
“Edhe një herë shumë faleminderit për këtë nismë dhe për praninë e ambasadorit, një mik i mirë i Shqipërisë, i shqiptarëve, siç është patjetër edhe i tillë presidenti Erdoğan”, u shpreh Rama.
Para të pranishmëve në këtë ngjarje u adresuan edhe ambasadori Yörük, kryebashkiaku Veliaj dhe ministri Çuçi.
Në Kosovë mbillen 2.000 fidane
Në kuadër të projektit “Frymë për të Ardhmen 2020” në Gjilan të Kosovës janë mbjellur 2.000 fidane.
Fidanet janë mbjellur në Kodrën e Dëshmorëve në Gjilan, ndërsa në aktivitet kanë marrë pjesë ambasadori i Turqisë në Prishtinë Çağrı Sakar, zv/ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nehat Ramadani, zv/kryetari i komunës së Gjilanit, Kadir Hüseyin, koordinatori i TIKA-s në Prishtinë, Cihan Dinçer dhe të ftuar të tjerë.
Ambasadori Sakar për AA tha se nga Turqia në Kosovë kanë sjell 1.000 fidanë në mënyrë simbolike.
“Shpresojmë që fidanët e mbjellur të jenë të fuqishëm sa miqësia mes popujve të Turqisë dhe Kosovës”, tha Sakar, duke shpresuar që fidanët të jenë një trashëgimi e mirë për të ardhmen e Kosovës.
Ndërsa zv/ministri Ramadani tha se pemët e mbjellura e thellojnë edhe më tej miqësinë dhe vëllazërinë mes dy popujve, duke theksuar se, “Mbjellja e fidanëve në këtë vend ku jemi ka peshë dhe rëndësi të veçantë, për shkak se këtu pushojnë pjesa më e ndritur, më elitare e qytetarëve të këtij rajoni. Janë ish-luftëtarët, dëshmorët dhe heronjtë e rajonit të luftës së fundit. Këta kanë merituar dhe meritojnë një trajtim më me dinjitet dhe besojmë që ne pak a shumë e ofrojmë atë që kërkohet nga ne”.
Në kuadër të projektit të zbatuar nga zyra e TIKA-s në Kosovë, janë mbjellur gjithsej 2.000 fidane, prej të cilëve 1.000 nga Turqia dhe 1.000 nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Në Maqedoninë e Veriut mbillen 250 fidane
Në kuadër të projektit “Frymë për të Ardhmen 2020” në Komunën e Zhelinës të Maqedonisë së Veriut janë mbjellur 250 fidane.
Në projektin i cili këtë vit zbatohet nga Turqia me synimin për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me pemët, në Maqedoninë e Veriut u organizua me mbështetjen e Ambasadës së Turqisë në Shkup, Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.
Në aktivitetin ku fidanet u mbollën në Komunën e Zhelinës, morën pjesë ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Arijanit Hoxha, ambasadori i Turqisë në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök, koordinatori i TIKA-s në Shkup, Halim Ömer Söğüt dhe nxënësit e Shkollës së Fondacionit Turk Maarif në vend.
Ambasadori Sekizkök rikujtoi se vitin e kaluar në Turqi kanë mbjellur 13.5 milionë fidanë.
“Besoj se me fidanet që i mbollëm afër Urës së Gurit nga periudha osmane që lidhë të dyja anët e Vardarit jemi duke dhënë një frymë të re për ajrin që e thithim”, tha ai.
Hoxha nga ana e tij tha se kjo ditë përveç në Maqedoninë e Veriut shënohet edhe në disa vende të Ballkanit, Azisë dhe Afrikës.
Maqedonia e Veriut dhe Turqia, sipas tij, kanë një bashkëpunim të shkëlqyeshëm shumëvjeçar në të gjitha fushat përfshirë edhe në fushën e pylltarisë. “Sot këtu në Komunën e Zhelinës pranë urës historike që është ndërtuar në kohën Osmane në lumin Vardar e cila daton nga shekulli i 16-të së bashku mbollëm fidane me të cilat edhe një herë promovojmë miqësinë mes dy vendeve tona dhe do të japim një kontribut që mund të duket i vogël por sado kudo përmirëson ambientin jetësor”, u shpreh ai.
Ndërsa kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë aktivitetet shumë të vlefshëm.
Në program mori pjesë nëpërmjet video-lidhjes edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
Turqia vitin e kaluar 11 nëntorin e shpalli Ditë Kombëtare të Pyllëzimit ndërsa këtë vit do të realizojë mbjellje të fidanëve në 35 vende të botës.