Rama nxjerr pamjet nga projekti për portin e ri turistik të Durrësit: Investim prej mbi 2 miliardë dollarësh

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka publikuar sot një video me detaje nga porti i ri turistik i Durrësit.

Në një postim në Facebook, Rama u shpreh se memorandumi i bashkëpunimit që u nënshkrua dje me kompanitë që do të ndërtojnë portin është një hap vendimtar drejt finalizimit të projektit duke i hapur rrugë procedurave parlamentare për përmbylljen e kontratën për ndërtimin e portit.

Ai u shpreh gjithashtu se projekti do të realizohet falë një investimi prej mbi 2 miliardë dollarësh, me mbështetjen e drejtpërdrejt të Presidentit të Emirateve të Bashkuara, Sheikh Muhammed Bin Zayed.

“Mirëmëngjes, dhe me kënaqësinë e hedhjes së një hapi vendimtar dje, me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit, që hap rrugën drejt procedurës parlamentare për kontratën historike për ndërtimin e portit më të madh turistik të Mesdheut në Durrës, falë një investimi prej mbi 2MLD USD, me mbështetjen e drejtëpërdrejtë të Presidentit të Emirateve të Bashkuara, Sheikh Muhammed Bin Zayed, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama.

I pranishëm dje në nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit midis “Eagle Hills Real Estate Development” shpk dhe “Albanian Seaports Development Company” sh.a, Rama e cilësoi ndërtimin e portit turistik të Durrësit, si mundësinë që jo vetëm qyteti ku do të bëhet ky investim, por e gjithë Shqipëria të ndryshojnë njëherë e përgjithmonë.

“Ky është një projekt që do të ndryshojë përgjithmonë jo vetëm Durrësin, por gjithë Shqipërinë. Me ndërtimin e këtij porti të rritet eksponencialisht vlera e pasurisë së të gjithë qytetarëve të Durrësit, do të rritet vlera e të gjitha hoteleve në vijën bregdetare. Këtu është fjala për imazhin komplet tjetër që do të ketë Shqipëria në botë. Nëse sot pagat në Malin e Zi janë më të larta në rajon kjo nisi me “Porto Monte Negro”. Durrësi do të jetë porti më i madh i Mesdheut, do të jetë port binjak i marinës së Dubait”, tha Rama.

https://fb.watch/eQteiiWHvY/