Gjatë prezantimit të programit qeverisës në Kuvendin e Shqipërisë, kryeministri Edi Rama nuk ka lënë pa përmendur “Ballkanin e Hapur” dhe faktin që Kosova nuk pajtohet me këtë.
Rama tha me bindje se askush nuk duhet t’i japë Shqipërisë mësime dhe për Kosovën kërkoi që të kenë bashkëpunim dhe të trajtojnë me respekt mospajtueshmërinë për Ballkanin e Hapur.
Ndër të tjera, ai përmendi arsyet përse Ballkani i Hapur vlen për Shqipërinë ndërsa për Serbinë, tha se duhet të kërkojë falje për krimet e luftës.
“Për Kosovën, mund të flasim jo të vendosim. Ne na takon thjesht t’i respektojmë ata dhe ata duhet të respektojnë vendimet tona. Nëse nuk i pëlqejnë, bujrum, t’i diskutojmë vëllazërisht, por jo t’i shpallim si tradhtar, si filoserb apo nostalgjiko jugosllav ata që mendojnë ndryshe duke luajtur harushë me dhimbjen e njerëzve, të përvëluar nga lufta të kësaj dhe asaj arme që pushkët i nxjerrin vetëm në Facebook. Ballkani i Hapur është pjellë e Procesit të Berlinit për lëvizjen e njerëzve, mallrave e shërbimeve. Në procesin e Berlinit ishte edhe korridori blu, ku është?”, ka thënë Rama.
Sipas tij, Ballkani i Hapur nuk merr përsipër asgjë dhe është i punëtorëve.
“Ballkani i Hapur nuk merr përsipër asgjë. Nuk diskutohet mbështetja, ndihma dhe Ballkani i Hapur është një mekanizëm më shumë. Ballkani i Hapur është i njerëzve që nuk duan të presin me orë në kufi, është i fermerëve dhe këtu flas për fermerët shqiptarët që ju thashë janë sot eksportuesit më të mëdhenj të perimeve, të dytët të frutave. Pyeti fermerët në Konispol nëse e duan Ballkanin e Hapur, është i tregtarëve që nuk duan të torturohen për të njërin mall, është i turistëve. Ballkani i Hapur është i punëtorëve, i atyre që duan të punojnë, të gjejnë një vend pune më të mirë dhe nuk duan që të merren me viza, dokumente e leje qëndrimi, është i studentëve, i pedagogëve, i tregjeve tona, ne e kemi të pasur shumë këtë tregun politik këtu ndërsa tregun prodhues e kemi të vogël”, është shprehur ai.
Rama në Kuvend thotë se, Serbia përfiton më shumë me Ballkanin e mbyllur se e merr të gjithë mallin nga Kosova.
“Po qe puna, Serbia përfiton më shumë me Ballkanin e mbyllur se e merr të gjithë mallin nga Kosova. Është e vërtetë, Serbia është më e madhe me ne të marrë veç e veç dhe mos të harrojë kush se shqiptarët së bashku, serbët janë vetëm njëri nga dy popujt më të mëdhenj të Ballkanit. Por konvergjenca shqiptare dhe brutalisht, një fjalë që e harrojnë sapo fitojnë zgjedhjet nuk ndodh kurrë përveçse duke zgjeruar shtigjet e paqes, duke marrë njohjen e Kosovës nga Serbia si kulmim i një procesi paqeje dhe duke nxitur fuqizim të faktorit shqiptar si më i përkushtuari euro-atlantik në Ballkan. A duhet të kërkojë falje Serbia për krime lufte? Po, nuk e luan topi. Po si arrihet tek kërkesa e faljes? Duke u izoluar prapa barrikadës së një lufte imagjinare apo duke rënë dakord për gjëra për të cilat janë në dobi dhe të një diçkaje tjetër që është faktorizimi ndërkombëtar shqiptar si popull i përkushtuar ndaj paqes se si i tillë kombi shqiptar ka fituar dhe nëse nuk paraqitet si i tillë është i detyruar të humbasë. Me luftën në Facebook, në kolltuk ka vetëm rrënim dhe izolim. Megjithatë, biem apo jo dakord për Ballkanin e Hapur, dua që me Kosovën të trajtojmë këtë mosdakordësi me respekt. Shqipërisë nuk i jepen mësime”, ka përfunduar Rama. /TCH/