Ballina Lajmet Rama: Nga sot çmimet e naftës në Shqipëri do të kalojnë në...

Rama: Nga sot çmimet e naftës në Shqipëri do të kalojnë në filtrin e transparencës

Pas rritjes së çmimit të naftës, në Shqipëri u krijua Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburantit. E prej sot në Shqipëri çmimet do të kalojnë në filtrin e transparencës dhe marzhi i fitimit të kompanive do të ngrijë.

Kështu ka bërë të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka shtuar se nuk do të lejojnë abuzimin në kurriz të qytetarëve.

“MIRËMËNGJES dhe me konfirmimin se nga sot, me ngritjen e Bordit Kombëtar të Administrimit të Karburantit, çmimet do të kalojnë në filtrin e transparencës dhe marzhi i fitimit të kompanive do të ngrijë, për të mos lejuar asnjë abuzim në kurriz të qytetarëve. Ju uroj një fundjavë të mbarë”, ka shkruar Rama.

Kryeministri Rama të premten takoi furnizuesit e naftës para të cilëve tha se problemi nuk është me çmimin sa me produktin.

“Çështja themelore që ne kemi dhe ajo që na kërcënon më shumë nuk është çmimi, qoftë dhe ky i çmendur që ishte para dy ditësh dhe që mund të rikthehet, por është mungesa e produktit. Është kollaj të thuash hajde impono, impono por nga ana tjetër gjithë kjo përpjekje për imponim që po bëhet edhe në vendet tjera mund të sjellë në pikën që nuk ka naftë, nuk ka energji sepse sot problemi ynë kur dalim në treg për shkak të thatësirës, nuk është thjesht që çmimi është mëndur 555, ka parashikime që thonë do të shkojë në 1 mijë. Çështja është se nuk e gjen produktin.

Prandaj këtu përveç pjesës së transparencës së çmimit ne nuk dot ë administrojmë me ju që të imponojmë çmime arbitrarisht sepse e dimë që kjo të çon një fjalimet të përgjithshëm e që pastaj nuk ka fare. Por do të bëjmë transparencën e çmimit në mënyrë ë përditshme që njerëzit ta shohin qartë se çdo qindarkë është aty jo për arsye të fitimit por për arsye të vazhdimit normal të punës”, tha Rama të premten.

Rama u bëri thirrje furnizuesve që të mos përfitojnë, duke thënë se askush nga ta nuk do të mbetet pa bukë e as nuk do ta humbas atë që ka fituar.

“Askush nga ju nuk rrezikon të mbetet pa bukë, askush nga ju nuk rrezikon të humbas gjithçka që ka fituar, por gjithkush nga ju ka sot detyrimin për këtë periudhë kohë që nuk e dimë sa është, një muaj, dy muaj, apo tre se pastaj nëse zgjat përtej tre është një histori komplet tjetër për të gjithë, por për këtë periudhë kohë duhet ta ndani mendjen që do të rezistoni dhe nuk do të fitoni”, u tha furnizuesve Rama.

Siç transmeton Kp, ministrja e Energjisë, në Shqipëri Belinda Balluku u kërkoi furnizuesve të naftës të kontrollojnë nëse kanë në gjendje rezervën e sigurisë së naftës, siç e parashikon ligji.

Exit mobile version