Kryeministri Edi Rama nuk e ka lënë jashtë vëmendjes thirrjen që të njihet pavarësia e Kosovës në asamblenë e OKB.
Rama bëri me dije se Kosova e pavarur do të ndikojë që të shkëputemi plotësisht nga e shkuara dhe tha me bindje se maturia dhe kuraja do të lejojë Serbinë të heqë barrën e së shkuarës.
“Sërish kjo asamble e madhe nuk është dhe nuk do të jetë e plotë pa Kosovën. Më keni dëgjuar më shumë se njëherë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, nuk është obsesion, as diçka sa për të thënë, është ftesë për të njohur realitetet e reja në zemër të Evropës. Kjo punë duhet të përfundoj dhe dua ta përsëris këtë thirrje se realiteti na ka treguar të gjithëve që do ta shohë se një Kosovë e pavarur, sovrane është një realitet që vazhdon prej 13 vjetësh që ka kontribuar të shkëputemi nga e shkuara e hidhur dhe është pjesë e përbashkët e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Rama.
Rama ka thënë se Shqipëria mbështet si alternativë të vetme dialogun midis Kosovës dhe Serbisë që do të sjellë njohjen mes dy shteteve.
Sipas tij, çdo ditë pa një marrëveshje të tillë është një ditë e humbur, një ditë që do u vidhet të rinjve në të dyja vendet, një ditë që u hiqet së ardhmes së përbashkët.
“E them miqësisht por me bindje, vetëm maturia dhe kuraja, vizioni do ta lejojë më në fund Serbinë të heqë barrën e së shkuarës”, ka përfunduar Rama.