Ballina Lajmet Rama në konferencë me shefin e NATO-s: Kosova të përfshihet në partneritetin...

Rama në konferencë me shefin e NATO-s: Kosova të përfshihet në partneritetin për paqe

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbajtur konferencë të përbashkët për media me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg, pas takimit që kanë pasur së bashku.

Në fjalën e tij, Rama ka deklaruar se ka kërkuar që Kosova të përfshihet në partneritetin për paqe.

Ai ka thënë se për shkak të vështirësisë me sigurinë, është e rëndësishme të konsiderohet pozita e Kosovës.

“Pata edhe njëherë shansin të them, nevojën për të konsideruar përfshirjen e Kosovë në partneritetin për paqen. Edhe kohët në të cilat jetojmë në këndvështrim tim është vërtetë e mençur që të konsiderohet”, ka thënë Rama.

Tutje, Rama është shprehur se ndihet krenar që Parlamenti i Shqipërisë ishte ndër të parët që miratoi protokollin për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë.

“Ishte një moment historik për aleancën në përgjigje për luftën. Jam krenar që parlamenti shqiptar u bë një prej të parëve për të ratifikuar protokollet e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë. Qëndrojmë në forcë në solidaritet të plotë me Ukrainën dhe është e padiskutueshme mbështetja jonë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se duhet të vazhdohet bashkëbisedimi për situatën dhe detyrimet në Ballkanin Perëndimor në mënyrë që të parandalohet çdo përshkallëzim dhe çdo ndikim i keq të kthehet në problem për këtë rajon.

Në fund, Rama ka thënë se koncepti i ri strategjik thekson rolin e Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se beson që është tejet e rëndësishme të vijohet një dialog i përhershëm me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Serbinë e cila nuk është ende pjesë e aleancës.

Exit mobile version