Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror që zhvillohet në Davos, Zvicër, ndërkohë ishte i pranishëm në sesionin me temë “Mënyra se si do të udhëtojmë”, me fokus zhvillimin e turizmit, transmeton Anadolu.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se Shqipëria ka bukuri të mrekullueshme dhe një larmi të pabesueshme. Sipas tij, në vendin e tij duhet që të ketë më shumë investime.
“Po përpiqemi të bëjmë maksimumin, duke rritur nga njëra anë masën e zonave të mbrojtura dhe duke krijuar më shumë mjete për të transformuar atë çfarë është e mbrojtur në burim, zhvillimin dhe nga ana tjetër duke angazhuar shumë arkitektë të jashtëzakonshëm ndërkombëtarë që të na ndihmojnë për të pasur projekte me cilësi të ndryshme nga ato që kemi parë në rajon përreth nesh”, u shpreh Rama.
Kryeministri Rama theksoi se në Shqipëri kanë aeroportin me rritjen më të shpejtë në Evropë gjatë dy-tre viteve të fundit.
Ai po ashtu njofti se vitin e kaluar e kanë mbyllur me pritjen e thuajse 12 milionë turistëve.
“Turizmi për ne është diçka e re, është një industri që po e ndërtojmë dhe nga e cila po shohim më së fundi zhvillim të jashtëzakonshëm në të gjitha aspektet, nga çelja e maleve tona për turistët që duan të ngjiten e po kështu deri tek propozimi i Jared Kushner dhe familjes për të ndërtuar dhe zhvilluar deri tek një nga kompanitë më të mëdha të Lindjes së Mesme që po zhvillon një port turistik, e kështu me radhë. Kështu që nuk ka asnjë shans që ne ta minojmë turizmin. Turizmi është kali ynë i betejës”, tha Rama.
Gjatë qëndrimit në Davos, kryeministri Rama është takuar me zyrtarë dhe liderë të vendeve të ndryshme, përfshirë edhe presidentin e Ukrainës, Volodymir Zelenskyy. Kryeministri Rama ka bërë të ditur se me presidentin ukrainas ka nënshkrua një marrëveshje të rëndësishme në fushën e sigurisë.
Takimi i 55-të Vjetor i Forumit Ekonomik Botëror mbahet nën temën “Bashkëpunimi për epokën inteligjente”.