Rama: Islami është një dhuratë pa kushte për mbarë njerëzimin

Nën kujdesin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe bashkëshortes së tij Linda Rama, është organizuar iftar me pjesëmarrjen e personaliteteve nga fusha të ndryshme.

Në iftarin e organizuar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë ishin të pranishëm ministra, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ambasadorë, përfshirë edhe ambasadorin e Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, si dhe zyrtarë të institucioneve të ndryshme dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama tha se Islamin e kanë cilësuar fe e të barabartëve duke shtuar se kjo tryezë e iftarit, “është në vendin e saj, në kohën e saj, në të drejtën e saj të qytetarisë”.

“Jam i lumtur sot që pas dy vite ndarjesh dhe kufizimesh, pasojë e një sulmi të paprecedent pandemik, ri-gjendemi rreth tryezës së iftarit. Më ka munguar ky takim sepse prej vitesh tryeza e iftarit ka lënë tek unë një shije të posaçme njerzillëku duke ushqyer një ndjesi të mirëseardhur paqeje”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama tha se besimi dhe qytetërimi islam, sipas tij, përkundër gjithë dezinformimit sistematik mbështetur sa në thjeshtëzimin vulgar dhe deri vrastar të fondamentalizmit lindor aq edhe në falsifikimin propagandistik dhe deri dhe racist të fondamentalizmit perëndimor, “kanë gjalluar përmes një zbulese që lirisë së ndërgjegjes, sovranitetit dhe dijes dhe zgjedhjes së lirë individuale i janë bërë kurorë qysh në zanafillë”.

“Thelbi i kësaj tryezë është Islami pa dyshim, por nga ana tjetër Islami është përveç se një fe e përqafuar ethshëm nga besimtarët myslimanë edhe një dhuratë pa kushte për mbarë njerëzimin. Një dhuratë që është gjynah ta refuzosh në mos si një burim besimi tek Zoti, si një burimi më shumë besimi tek njeriu, tek vetja, tek ai që jo thjesht duhet por mund të jesh”, u shpreh Rama.

Rama shtoi më tej se “Bukur dhe hijshëm më duket se po veprojmë edhe ne sot tek jemi së bashku rreth tryezës së iftarit duke kryer një gjest miqësie dhe mirësie”. (Anadolu Agency – AA)