Rama edhe sot në Kosovë, vazhdon takimet me liderët politikë

Kryeministri shqiptar Edi Rama do të qëndrojë edhe gjatë ditës së sotme në Kosovë ku do të vazhdojë takimet me liderët politikë.

Rama do ta nisë ditën e sotme me takimin me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa, derisa takime do të ketë edhe me kryetarin e AKR-së Behgjet Pacolli dhe të parin e Prishtinës Shpend Ahmeti.

Në agjendën e tij është paraparë edhe një takim me kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj, por ky i fundit nuk dihet nëse do të takohet me të për shkak të një përplasje të mëhershme.

Në fund të vizitës së tij dyditore, Edi Rama pritet të mbajë një konferencë për media, njofton Klan Kosova.

Shefi i qeverisë shqiptare ka arritur në Kosovë ditën e djeshme dhe takimet i ka nisur me kryetarin e Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj me të cilin ka pasë edhe një drekë punë.

Më pas ai është takuar me kryeparlamentaren Vjosa Osmani, homologun e tij kosovar Avdullah Hoti dhe kryetarin e PDK-së Kadri Veseli.

Ditën e ka përmbyllur me takimin me presidentin Hashim Thaçi i cili bashkë me Kadri Veselin ka shtruar darkë për kryeministrin shqiptar.

Edi Rama përmes një postimi në Twitter ka thënë se ka ardhë në Prishtinë pas propozim-aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

Këtë propozim-aktakuzë ai e ka quajtur fletë-rrufe, derisa e cilëson si njollë turpi të shekullit 21 në historinë botërore të drejtësisë.

“Në Prishtinë për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas fletë-rrufesë speciale që do të hyjë si njollë turpi e shekullit XXI në historinë botërore të drejtësisë e cila praktikën e akuzës publike pa aktakuzë juridike e ka njohur veç në epokat e sundimeve ideologjike a para tyre!”, ka shkruar ai.