Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, po realizojnë një vizitë në Ukrainë me ftesë të Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri Rama së bashku me homologun e tij Abazoviq kanë mbërritur në Kiev, ndërkohë gjatë ditës së sotme do të takohen me presidentin Zelenskyy dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të vendit.
Sipas njoftimit nga Kryeministria e Shqipërisë, Rama do të vizitojë zonat e bombarduara Borodyanka dhe Irpin, si dhe më pas ekspozitën me dëshmi të luftës Rusi-Ukrainë.
Rama dhe Abazoviq do të priten në takim nga presidenti i Ukrainës dhe pas takimeve do të mbahet konferenca e tyre e përbashkët për mediat.
Kryeministri Rama do të takohet edhe me kryeministrin e Ukrainës, Denys Shmyhal dhe kryetarin e Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko.
Kujtojmë se që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë, autoritetet e Shqipërisë dënuan ndërhyrjen ushtarake të Rusisë, duke shprehur solidaritet me popullin ukrainas.
Gjithashtu Shqipëria iu është bashkuar masave shtrënguese të ndërmarra nga Bashkimi Evropian (BE) kundër Rusisë, duke vendosur sanksione ndaj individëve dhe subjekteve të ndryshme ruse, që përfshijnë masa kufizuese në financë, energji, transport dhe teknologji. /aa