Partia Socialiste është duke zhvilluar asamblenë kombëtare për të bërë një analizë për 100 ditët e para të qeverisjes, si dhe prioritetet për vitin 2018.
Edi Rama, në fjalën e tij u shpreh se beteja për drejtësinë ndau politikën në dy kampe, nga njëra anë kampi i reformistëve i PS dhe i të gjithë atyre që e duan reformën të shkojë deri në fund dhe kampi tjetër, i të tremburve nga reforma
“Mbyllëm një vit me vështirësi të mëdha, por edhe me një shpërblim të madh të marrë prej shqiptarëve, falë përpjekjeve kolosale në mandatin e parë dhe bindjes së krijuar te njerëzit se PS e meriton timonin e vetme për të provuar deri në fund e patrazuar aftësinë e vet qeverisëse dhe mundësinë për ta çuar Shqipërinë më afër se kurrë me BE. Kjo ishte një fitore historikë në mandatin e dytë, me numrin më të madh të votave që PS ka marrë ndonjëherë. Në 100 ditët e para ne kemi arritur të realizojmë objektivat, por po ashtu koha vrapon dhe volumi i punëve që ne duhet të kryejmë është i jashtëzakonshëm.
Beteja për drejtësinë ishte një vazhdim i asaj të hapur që prej vitin paraardhës, duke e ndarë politikën në dy kampe, nga njëra anë kampi i reformistëve i PS dhe i të gjithë atyre që e duan reformën të shkojë deri në fund dhe kampi tjetër, i të tremburve nga reforma, i cili tanimë është zgjedhur edhe kundër reformës në drejtësi të aleatëve tanë të mandatit të parë. Ne rrezikuam qeverinë, por nuk lejuam që të rrezikohej reforma në drejtësi dhe u përpoqën ta mbajmë gjallë aleancën për “Shqipërinë Europiane” pa e kompromentuar reformën në drejtësi. Në fund, qëndrimi ynë i qartë dhe i prerë për të mos e kompromentuar këtë reformë ndau edhe rrugët tona nga aleati ynë i mandatit të parë”, tha Rama.
Më tej, Kryeministri u shpreh se nga brenda Shqipërisë po kërcënohet çelja e negociatave brenda Shqipërisë.
“Po kërcënohet çelja e negociatave brenda Shqipërisë, nga frika për reformën në drejtësi. Ne si qeveri nuk ka se çfarë na bën, por Shqipërisë mund ti sjellë një dëm të jashtëzakonshëm. Jemi rast unikal, ku reforma në drejtësi nuk shqetëson qeverinë, por opozitën”, tha Rama.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla, i cili kërkoi angazhim për shpërbërjen e situatës që e quajti “gri” brenda partisë.
“Përgjegjësia individuale bie mbi çdokënd që nuk e ka bërë detyrën e vet por ajo politike bie në radhë të parë mbi drejtuesit politikë të qarqeve, të cilët e kanë toleruar në përditshmërinë e punës së tyre këtë dobësi të rëndë dhe nuk i kanë qëndruar në kokë për t’i qëndruar rigorozë këtij procesi nga koka te këmbët. Këtu më duhet të përsëris kryetarin e Partisë për ata kolegë, drejtues të qarqeve që kanë detyrën për të qenë ministra sepse ata kanë barrën më të madhe dhe hapësirën më të madhe për justifikim”, tha Balla.
Ndërkohë, ai tha se ka edhe disa ndryshime në strukturën e sekretariatit. “Kemi disa ndryshime në strukturën e sekretariatit. Jo gjithë grupi i tyre ka punuar me efikasitetin e plotë. Sekretariatit t’i jepet një mundësi e dytë, si dhe të propozojmë dy detyra të reja: Sekretariati për Marrëdhëniet Ndërkombëtare t’ia besojmë Teuta Voda, Bledi Çuçi Sekretari për çështje zgjedhore. Blerina Gjylameti, dua të vazhdojë detyrën për Sekretare elektorale. Gramoz Ruçi, anëtar i kryesisë së partisë”.
Ndërkohë, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Bushati i ka bërë thirrje opozitës për të bashkëpunuar dhe për të mos qenë barrikadë në procesin e hapjen e negociatave me BE për të cilin tha se Shqipëria pret të ndodhë në qershor.
“Në prill në presim që KE të hapë bisedimet për anëtarësim, që pritet të konkretizohet në samitin e Sofjes dhe samitin e BE në qershor të këtij viti. Negociatat nuk i hap Rama, opozita të bashkëpunojë dhe të mos bëhet barrikadë. Shpresoj që opozita të dalë nga kjo gjendje për të kuptuar që nuk bëhet fjalë për fatin e qeverisë dhe një kryeministri, por të Shqipërisë” deklaroi Bushati./Top Channel