Rama akuzon Qeverinë se s’po i përkrah projektet e kryeqytetit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka hedhur akuza për Qeverinë duke thënë se nuk po i përkrah projektet e Komunës, teksa të enjten në një konferencë për media prezantoi “Sukseset dhe Sfidat e Kryeqytetit në 2024 dhe Planet për 2025”.

Si projekt të parë që nuk po përkrahet nga Qeveria, Rama e ka përmendur unazën e kryeqytetit.

“Çështja tjetër e cila ka qenë sfidë edhe vazhdon të jetë sfidë është unaza e kryeqytetit, jo vetëm për kryeqytetin, por për gjithë Kosovën duke marrë parasysh edhe që do të zhvillohen Lojërat Mesdhetare. Projekti është i gatshëm dhe vazhdon të qëndrojë si projekt i papërkrahur nga qeveria përkundër që ka 40 për qind të buxhetit. Buxheti i Kosovës mbushet 49 për qind nga Prishtina”, ka thënë Rama, transmeton EO.

Nënkalimi te rruga “Agim Ramadani”, ishulli urban te lagjja “Arbëria” dhe ndërtimi i spitalit janë projektet e tjera të parealizuara për të cilat kryetari i Prishtinës ia ka lënë fajin Qeverisë.

“Çështja tjetër është nënkalimi ‘Agim Ramdani’ i cili nga marsi është projekt i përfunduar, kërkesa për të filluar punimet ende nuk është miratuar. Çështja e ishullit urban, jemi bllokuar nga institucionet që qendrore. Qeveria i bllokon 30 mijë banorë të kryeqyteti. Projekti i spitalit të kryeqyteti është i gatshëm, i njëjti projekt nuk na është dorëzuar për t’u realizuar edhe pas kërkesave që kemi bërë në Ministri. Neve nuk na jepet një projekt”, ka thënë Rama.

Por Rama ka deklaruar se pavarësisht sfidave, që sipas tij janë të pakuptueshme dhe të panevojshme nga Qeveria, Komuna e Prishtinës ka shënuar histori në realizimin e buxhetin mbi 80 për qind teksa ka përmendur edhe projekte që janë realizuar gjatë vitit 2024 dhe do të vazhdojnë edhe më 2025.

“Kemi lajme të shkëlqyera. Kemi thyer rekorde këtë vit në realizmin e buxhetit, ka pasur rritje të realizmit të buxhetit vit pas viti. Në vitin 2024 ka pasur realizmi historik të buxhetit mbi 80 për qind, ndërsa investimet kapitale janë realizuar mbi 63 për qind. E kemi nisur projektin madhor të Rrugës A, i cili gjithashtu ka pas sfida pasi kemi pasur tri ballafaqime në gjykata për të vazhduar punime dhe punimet po vazhdojnë dhe presim të përfundojnë në fund të këtij viti. Ndërtimi i kolektorit në ‘Kalabri’, një tjetër projekt madhor që po vazhdon është vazhdimi i Rrugës B, kemi ndërtuar rrugën ‘Bajram Bahtiri’…”, ka thënë ai.

Rama edhe më herët ka kërkuar nga Qeveria të mos bëhet bllokuese e “projekteve madhore të kryeqytetit”.