Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në ditën e 28 Nëntorit ka përkujtuar heroin shqiptar Adem Jashari.
Rama përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se Adem Jashari erdhi në këtë botë pikërisht në Ditën e Flamurit Kombëtar dhe vdiq pasi e la trupin pa jetë si një monument të shtrirë në mesin e shtëpisë ku mbante flamurin kombëtar.
“Historia e vdekjes që i dha përjetësinë atij e trungut të prerë të familjes së tij, i tejkalon kufijtë e të besueshmes dhe i ngjan më shumë një versioni të legjendës së Gjergj Elez Alisë, ku plagët në trup janë më shumë se nëntë e janë vetë trupat e njerëzve të gjakut të heroit, copëtuar nga plumbat e një bajlozi të stërmadh sa një ushtri e tërë armike që mësyu mizorisht mbi shtëpinë ku zhvillohet rrëfimi mitologjik”, ka shkruar Rama.
Postimi i plotë:
ADEM JASHARI erdhi në këtë botë mu në Ditën e Flamurit Kombëtar dhe iku nga kjo botë pasi e la trupin pa jetë si një monument të shtrirë në mesin e shtëpisë ku mbante flamurin kombëtar.
Historia e vdekjes që i dha përjetësinë atij e trungut të prerë të familjes së tij, i tejkalon kufijtë e të besueshmes dhe i ngjan më shumë një versioni të legjendës së Gjergj Elez Alisë, ku plagët në trup janë më shumë se nëntë e janë vetë trupat e njerëzve të gjakut të heroit, copëtuar nga plumbat e një bajlozi të stërmadh sa një ushtri e tërë armike që mësyu mizorisht mbi shtëpinë ku zhvillohet rrëfimi mitologjik.
Sikur ajo shtëpi e sharruar nga zjarri armik të mos ishte ende aty, sikur familjarët e vrarë të Adem Jasharit të mos ishin banorë të asaj shtëpie, që figurojnë një më një, në gjendjen civile të komunës Prekaz dhe sikur vetë Adem Jashari të mos ishte një njeri i gjallë deri në 7 marsin e vitit 1998, i cili figuron edhe si klient në regjistrin e hotelit “Arbëria” në Tiranë, do të ishte realisht e pamundur t’i besohej vërtetësisë së historisë mitike të komandantit legjendar të luftës së Kosovës.
Madje edhe vetë Besarta, shtojzovallja e mbijetuar e asaj masakre të pabesueshme, do të dukej si rrëfimtarja e përhumbur e një përralle, nëse familja Jashari nuk do të kishte qenë aty, mes një komuniteti të tërë shqiptarësh të zakonshëm prej të cilit u nda, e gjitha, menjëherë, në terrin mes dy ditëve të zakonshme mbi pllajën baritore të Prekazit.
Madje madje edhe ajo pllajë, e kthyer sot në një varrezë unikale dëshmorësh me një trung të vetëm familjar, nëse nuk do ishte aty, pjesë reale e gjeografisë së Kosovës, do të dukej si pejsazhi i krijuar nga peneli i imagjinatës për të qenë skena magjike e zhvillimit të gojëdhanës së lashtë, për një kreshnik me emrin Adem Jashari e familjen e tij.
Mirëpo jo, e gjitha është thjesht e vërtetë, e vërteta e pabesueshme e kulmimit epik të Luftës së fundit Çlirimtare në mes të Europës, bash në fund të shekullit XX, ku një popull i mohuar në të drejtën e tij për liri nga një diktaturë e urrejtjes etnike dhe i poshtëruar prej harresës së gjatë të botës demokratike, ngriti krye kundër urrejtjes e harresës dhe triumfoi kundër të gjitha paragjykimeve e parashikimeve.
Adem Jashari lindi në 28 nëntor dhe vdiq për të jetuar përgjithmonë, si legjenda e gjallë e flamurit më të bukur në botë.