Përfaqësues të një numri organizatash joqeveritare përmes një aktiviteti ‘simbolik’ në afërsi të urës mbi lumin Ibër, kanë shprehur mospajtimin e tyre për ndërtimin e murit në pjesën veriore të qytetit.
Përmes vendosjes së një numri mbishkrimesh me porositë se “ndërtimi i murit është akt provokues dhe destabilizues” dhe “nuk lejojmë ndarje në baza etnike”, ata thanë se muret paraqesin ndarje dhe njëkohësisht edhe urrejtje.
Kenan Gashi, nga grupi i organizatave jo qeveritare Avonet, u bërë thirrje autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare që të mos lejojnë ndërtimin e mureve që, sipas tij, krijojnë ndarje brenda Kosovës.
“Ndërtimi i murit është një akt që ka për qëllim provokimin dhe destabilizimin e Kosovës. Është në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe me të drejtën ndërkombëtare. E cenon rëndë dialogun. Një dialog i tillë [nëse ndërpritet] rrezikon dhe provokon klimën e bashkëpunimit paqësor”, tha Gashi.
Muri në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, filloi të ndërtohej dy ditë më parë duke ngjallur reagimin edhe të qytetarëve edhe të politikës.
Kryetari i Komunës jugore të Mitrovicës, Agim Bahtiri tha të premten për Radion Evropa e Lirë se muri do të rrënohet dhe hapësira do të jetë në shfrytëzim të qytetarëve.
“Kemi rënë në ujdi që muri të hiqet, të pastrohet ai vend dhe të normalizohet gjendja siç ka qenë me planin e Brukselit. Komplet ura dhe lëvizja e lirë njerëzve dhe veturave do të ndodh në janar të vitit të ardhshëm”, tha Bahtiri.
Por, kryetari i Komunës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq tha se muri i ngritur nuk do të rrënohet por ri-dizajnohet.
“Ky nuk është mur. Ky është një mbështetës që do të ndihmojë zonën e këmbësorëve. E kam thënë edhe më herët dhe edhe në takimin e djeshëm është arritur pajtimi, e po e përsëris që kjo do të shndërrohet në një teatër veror dhe do të jetë kështu”, tha Rakiq.
Deklaratat e Rakiqit erdhën pas një bisede pranë murit të ngritur me kryeinspektorin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Bedri Halimi, i cili qëndroi, më 9 dhjetor, në vendin e ngjarjes ku është ndërtuar muri.
Halimi u dha lejen autoriteteve lokale për rrënimin e murit, pasi me parë kishte një vendim që punët rreth murit të ndërpriten.
“Sot kemi ardhur për vazhduar [punët] lidhur me këtë çështje”. [Kemi sjellë vendimin për rrënimin e murit], tha Halimi.
Ndërkohë, varësisht nga përkatësia etnike edhe reagimet e qytetarëve ishin të ndara.
Qytetarët shqiptarë në pjesën jugore të qytetit shprehën bindjet e tyre se muri po e thellon ndarjen e qytetit. Xhevat Fejzullahu, nga qyteti i Mitrovicës, tha se tash me murin Mitrovica përfundimisht po ndahet në dy pjesë.
“Nuk ka çka, këtu gjithkush e ka të qartë se u nda Mitrovica. Ata mund të flasin vetëm pallavra dhe si u konvenon atyre qeveritarëve. Secili që po vjen vetëm po gënjejnë. Kjo është ndarje këtë edhe një fëmijë në klasë të parë e kupton”, tha Fejzullahu.
Një qytetare e në komunën veriore, e përkatësisë serbe, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk është në dijeni se çka është duke ndodhur me ndërtimin e murit pranë lumit Ibër.
“Nuk e di se cka po ndërtohet e cka po bëhet. Kjo është çudi. Nuk e di askush. Këtu ndërtojnë këtu rrënojnë. Më besoni nuk di çka po ndodh”, tha ajo.
Një mur i një lartësie prej mbi dy metrash filloi së ndërtuari në veri të qytetit të Mitrovicës, siç u tha, me vendim të autoriteteve lokale në këtë pjesë.
Ndërtimi i tij u bë në kohën kur po kryheshin punimet për revitalizimin e urës qendrore në Mitrovicë, pas heqjes së ‘Parkut të Paqes’, sipas një marrëveshjeje të arritur në Bruksel, me qëllim të rikthimit të normalitetit në qytetin e ndarë të veriut të Kosovës.