Nëpërmjet sistemeve raketore HIMARS, Ukraina ia ka shkatërruar Rusisë të paktën 50 depo municionesh, raportoi BBC-ja të hënën.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, deklaroi se depot ruse u sulmuan me sisteme raketore që erdhën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e secili target rezultoi me sukses.
“Kishim një raport me kolegët tanë (amerikanë v.j.) që konfirmuan informacionin. Po flasim për 50 objekte vetëm ku ruhen municionet”, shtoi ai.
Sipas Reznikovit, forcat ruse nuk po arrijnë t’u bëjnë ballë sulmeve me HIMARS.
“SHBA-ja e ka parë që sulmet po bëhen në mënyrë profesionale nga ushtria jonë, gjë që rrit nivelin e besimit”, theksoi ministri.
Deri më tash, SHBA-ja e ka furnizuar Ukrainën me 16 sisteme raketore HIMARS.
HIMARS-ët u cilësuan shumë precizë, ndërsa sipas SHBA-së, ende asnjë sistem i tillë nuk është shkatërruar nga Rusia.
“Këto sisteme nuk janë shkatërruar nga rusët deri më sot. Dhe ata (ukrainasit) po i përdorin ato në mënyrë shumë efektive, duke përdorur armë precize kundër objektivave”, tha ditë më parë kreu i Shtabit të SHBA-së, Mark Milley. /koha
🇺🇦Ukraine Defense Minister says 50 Russian ammunition depots were destroyed by HIMARS missiles – Reuters pic.twitter.com/SqcviwVNSL
— ТРУХА⚡️English (@TpyxaNews) July 25, 2022