Rajoni përgatitet për festën e Kurban Bajramit

Besimtarët muslimanë në vendet e rajonit vijojnë me përgatitjet e fundit për festimin e festës së Kurban Bajramit.

Anadolu Agency (AA) ka përpiluar informacione rreth përgatitjeve të festës së Kurban Bajramit në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë.

Maqedoni e Veriut

Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, besimtarët muslimanë të cilët kanë mundësi të therin kurban me rastin e Kurban Bajramit, vizituan tregun e bagëtive në periferi të qytetit.

Shitësit e kurbaneve, duke mos dashur të prononcohen para kamerës, thanë se këtë vit autoritetet nuk kanë lejuar shitblerjen në lokacionet tradicionale brenda qytetit, ndërsa u ankuan për kushtet e pafavorshme në tregun e bagëtive. Sipas tyre, kjo ka ndikuar paksa në uljen e interesimit.

Sivjet, çmimi i kafshëve të vogla është 120 deri në 300 euro, ndërsa kafshët e mëdha shiten nga 700 deri në 1.200 euro.

Ndërkohë, nga Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale-Shkup” kanë bërë të ditur se edhe sivjet, në vendbanimet ku festohet Kurban Bajrami, janë vendosur kontejnerë të posaçëm ku besimtarët muslimanë do të mund të hedhin mbetjet e kurbanëve.

Shqipëri

Besimtarët musliman në Shqipëri vazhdojnë përgatitjet për pritjen e festës së Kurban Bajramit, duke u kujdesuar për kurbanin, por edhe për blerjen e produkteve të ndryshme.

Në prag të festës, tregu i bagëtive i Qarkut të Tiranës frekuentohet më shumë, ndërsa besimtarët blejnë kafshët për kurbane për familjen e tyre, por edhe për të ndihmuar familjet në nevojë.

Prej disa ditësh vazhdojnë përgatitjet për blerjen e kurbanit, ndërkohë çmimi i përcaktuar i kurbanit për këtë vit është 130 euro për bagëtitë e imëta, njëjtë sa viti i kaluar.

Nga ana tjetër, tregu “Pazari i Ri” në Tiranë në prag të Kurban Bajramit është më i frekuentuar nga qytetarët, të cilët blejnë produktet nga më të ndryshmet, nga ato tradicionale, por edhe të tjera.

Ndërkohë, programi qendror për faljen e namazit të Kurban Bajramit në Shqipëri do mbahet në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë.

Kosovë

Qytetarët në të gjitha vendet e Kosovës po bëjnë përgatitjet e fundit para festës së Kurban Bajramit.

Ardhja e një pjese të madhe të mërgimtarëve në vend, moti me shi dhe nevoja për t’i blerë gjërat e nevojshme për këtë festë ka shkaktuar fluks dukshëm më të madh nëpër rrugët e Kosovës në prag të festës, sidomos në kryeqytet, Prishtinë.

Në tregun e bagëtive në lagjen “Vranjevc” të Prishtinës, interesimi i qytetarëve për të blerë kurban, sipas tregtarëve, gjatë këtij viti krahasuar me vitin e kaluar, ka qenë më i madh.

Kjo si pasojë se gjatë vitit të kaluar, kishte masave të vendosura të cilat përfshinin edhe kufizime për prerjet e kafshëve, për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

Çmimet për një dele në këtë treg varijojnë nga 120 euro deri në 250 euro, ndërsa më së shpeshti blihen delet me çmimet më të ulëta dhe ato mesatare. /aa